Auditorja e Përgjithshme kërkon t’i ulet paga, Kuvendi nuk ia aprovon kërkesën

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës zbritjen e pagës së saj nga rreth 3 mijë 800 euro me shtesa në 2 mijë e 800 euro ose 12 mijë euro më pak në vit.

Kërkesa për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm, e shqyrtuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer, është vlerësuar nga deputetët e opozitës si pozitive, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik.

Me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores, Spanca deri në javën e ardhshme kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.

“Për shkak të rrethanave ekonomike kam menduar që do të ishte e drejt paga ime të jetë më e ulët dhe në proporcion me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Spanca gjatë paraqitjes së kërkesës në këtë komision parlamentar.

Gjatë raportimit, Spanca tha se me marrjen e pozitës së re, ka marrë vendim për uljen e pagave për disa pozita, derisa pozitën e këshilltar për media ka shuar.

Deputeti Eman Rrahmani nga VV ka përgëzuar auditorin e përgjithshme për kërkesën e saj sa i përket zbritjes së pagës.

“Paga e lartë që ka qenë deri tash për këtë pozitë, vërtet ka qenë pagë e lartë”, tha ai.

Sa përket kësaj kërkese për pagat e larta, shqetësim lidhur me këtë pati deputeti, Mërgim Lushtaku nga PDK, kërkojë miratimin e ligjit të pagave, që siç tha ai e rregullon këtë fushë.

Deputeti Avdullah Hoti nga LDK ka kërkuar që mos të zbriten edhe pagat e auditorëve, krahas uljes së pagës së auditorit të përgjithshëm për të cilën tha se duhet të jetë konform pagës në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK, theksoi se është një shembull i mirë kur zyrtarët publik kërkojnë zbritjen e pagave, teksa shtoi se projektligji për paga që qëndron në sirtarët e Qeverisë, e rregullon këtë çështje por që duhet të miratohet.

“Me një individ ne asgjë nuk mund të bëjmë. Por qeveria duhet sa më parë ta miraton ligjin e pagave. Kjo është një praktikë e mirë nga auditorja, por në përgjithësi duhet të ketë një barazi mes sektorëve dhe pozitave”, tha ai, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Duke iu përgjigjur kryetarit të komisionit, Armend Muja për audutimin e RTK-së, Spanca ka thënë se tash e tutje edhe do të auditojë edhe pasqyrat financiare të RTK-së.

Për këtë, ka reaguar deputeti Pal Lekaj, i cili tha se nuk duhet bërë presion transmetuesit publik.