Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se Maqedonia e Veriut nuk e ka problem që të fut nacionalitetin bullgar, si bashkësi etnike në Kushtetutë. Osmani tha se kjo nënkupton se në vendin tonë ka nacionalitete të ndryshme, që kanë të drejtë të tregojnë atributet e tyre.
“Kërkesa për futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë nuk është në kundërshtim me interesat tanë, sepse Bullgaria zhvendoset nga pozicioni fillestar i një populli në dy shtete, në pozicionin ku thonë se ka një komunitet bullgar me atribute të identitetit dhe kulturore, ndryshe nga komuniteti shumicë”, deklaroi Osmani.
I pyetur nëse Maqedonia e Veriut do të kërkojë reciprocitet në këtë çështje me Bullgarinë, ministri Osmani tha se “për dallim prej vendit tonë, Kushtetuta e Bullgarisë nuk njeh organizimin e qytetarëve në bazë të etnisë”.
“Ky reciprocitet nuk është i mundur pasi Republika e Maqedonisë së Veriut e ka për obligim, sipas marrëveshjes, që nuk do të përzihet në rendin e brendshëm të Republikës së Bullgarisë, respektivisht në këtë rend kushtetues që nuk njeh organizimin në bazë nacionale”, pohoi Osmani.
Ndryshe, presidenti bullgar, Rumen Radev dje në Bërdo të Sllovenisë tha se përderisa Shkupi nuk e pranon të vërtetat historike në raport me Bullgarinë, ashtu siç bëri me Greqinë, Sofja nuk do të lëvizë nga qëndrimi i fundit. Radev kërkoi që “bullgarët maqedonas të figurojnë në regjistrim e popullsisë”.