Trajneri Edi Reja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, për të shpjeguar edhe zgjedhjet e tij në listën e të grumbulluarve për të përballuar ndeshjet ndaj Hungarisë dhe Polonisë, në të cilat kuqezinjtë do të provojnë të mbajnë gjallë ëndrrën “Katar 2022”.
Një nga lojtarët që mungon, është padyshim mesfushori Taulant Xhaka, i cili mungon sërish edhe këtë herë, ku në repartin që ai luan, ka mungesa të rëndësishme si ato të Abrashit dhe Laçit, ndërsa trajneri Reja ka shpjeguar situatën e tij.
“E vërteta është se unë e kam ftuar disa herë, por ai ka refuzuar vazhdimisht. Fillimisht u justifikua me problemet fizike, por na refuzoi edhe në shtator, ndaj është e kotë të vijojmë t’i dërgojmë më ftesa. Ndoshta ka vendosur të përkushtohet te klubi i tij, por kjo është zgjedhje personale. Më vjen keq, pasi mund të na jepte një dorë në këto momente”, deklaroi Reja.