Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar humbje 2-1 ndaj Finlandës në Helsinki, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës C të Ligës së Kombeve.
“Kuqezinjtë” e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt. Rey Manaj shënoi me kokë pas një asistimi të Kristjan Asllanit nga goditja e këndit.
Situata ndryshoi në minutën e 22-të, kur Etrit Berisha u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje jashtë zonës së rreptësisë.
Finlanda shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike dhe vetëm katër minuta më vonë barazoi rezultatin. Leo Walta realizoi nga goditja e dënimit, duke mposhtur Alen Sherrin, i cili kishte hyrë në lojë pas largimit të Arbër Hoxhës.
Pjesa e parë përfundoi 1-1, ndërsa Shqipëria në vazhdim u përpoq kryesisht përmes kundërsulmeve.
“Kuqezinjtë” patën mundësi për të kaluar sërish në epërsi, me Stavro Pilon, por rastet e tij nuk u konkretizuan.
Finlanda e përmbysi plotësisht rezultatin në minutën e 72-të. Walta ishte sërish protagonist, duke realizuar një tjetër gol nga goditja e dënimit dhe duke i dhënë vendasve epërsinë 2-1.
Deri në fund, Shqipëria nuk arriti të gjente golin e barazimit, ndërsa Finlanda ruajti avantazhin dhe arkëtoi tri pikët.
Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet me gjashtë pikë në vendin e dytë, ndërsa Finlanda ngjitet në krye të grupit me shtatë pikë.
Në ndeshjen e radhës, Shqipëria do të përballet me San Marinon më 6 tetor. Po atë ditë, Finlanda do të luajë ndaj Bjellorusisë.