Pas operacionit për kancer në mushkëri, Papa shfaqet për herë të parë në publik.





Papa Leo është rikthyer në një aktivitet publik pesë ditë pas operacionit në mushkërinë e djathtë. Ai njoftoi se do t’i rifillojë gradualisht detyrat duke falënderuar besimtarët për lutjet dhe mbështetjen. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse do të zhvillojë të gjitha aktivitetet e planifikuara në ditët në vijim.

Papa Leo u shfaq të dielën në dritaren e Pallatit Apostolik në Vatikan, ku përshëndeti besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ky ishte aktiviteti i tij i parë publik që prej ndërhyrjes kirurgjikale të së martës kur iu hoq lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë. Papa 71-vjeçar iu drejtua turmës me një zë të qartë duke shprehur mirënjohjen për lutjet e ardhura nga e gjithë bota.

Pas daljes nga spitali Gemelli në Romë, të shtunën, mjekët vlerësuan se gjendja e tij ishte mjaftueshëm e mirë për t’u kthyer në banesë. Sipas tyre, rezultatet e analizave të gjakut dhe ekzaminimeve të kraharorit treguan se ai mund të kryejë në mënyrë të pavarur aktivitetet e zakonshme të përditshme. Megjithatë rikthimi i plotë në angazhimet zyrtare do të bëhet gradualisht, në varësi të ecurisë së rikuperimit.

Rreth 15 mijë persona sipas Vatikanit, ishin mbledhur në shesh për të parë Papën. Shfaqja e tij u prit me duartrokitje dhe emocione ndërsa disa murgesha mbanin pankarta me mesazhe mbështetjeje. Gjatë fjalës së tij, Leo u bëri thirrje besimtarëve të lënë mënjanë ambiciet egoiste dhe t’i shërbejnë Zotit pa kompromis.

Ndërkohë, Vatikani ka anuluar aktivitetet e tjera publike të Papës të paktën deri të mërkurën, kur është parashikuar audienca e tij e përgjithshme javore. Ende nuk është konfirmuar nëse ai do ta zhvillojë këtë takim. Në kalendarin e Papës është parashikuar edhe një vizitë në Uruguai, Argjentinë dhe Peru, nga 6 deri më 17 nëntor. Kirurgu i tij kryesor shprehu mundësinë që Leo të rikuperohet plotësisht deri atëherë ndërsa sekretari i shtetit të Vatikanit kardinali Pietro Parolin theksoi se axhenda mund të përshtatet sipas gjendjes së tij shëndetësore.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo