Kurti nga Kuvendi: Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por edhe president për Kosovën

Kurti nga Kuvendi: Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por edhe president për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend gjatë seancës ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Kurti ka vlerësuar se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartësja e saj.

“Lufta e drejtë e popullit tonë ishte luftë çlirimtare. Bartëse e kësaj lufte ishte UÇK-ja. UÇK-ja është shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.

Duke iu referuar Projektligjit për Specialen, Kurti ka thënë se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për analizimin e tij dhe ka kundërshtuar, siç e ka quajtur ai, ngutjen në ndryshimin e ligjit.

“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq, të nderuar deputetë. Ka qenë një kohë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin, aq më tepër kur ende nuk e kemi aktgjykimin e plotë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”.

Kurti ka përmendur edhe vitet 2013 dhe 2015, kur janë ndërmarrë hapa drejt krijimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se në atë kohë, sipas tij, nuk është konsultuar Vetëvendosje, transmeton Klankosova.tv.

“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur u votua krijimi i kësaj gjykate. Atëherë nuk na keni dëgjuar. Sot do të duhej të na konsultonit”.

Kryeministri ka thënë se pakënaqësitë e qytetarëve ndaj Gjykatës Speciale duhet t’u adresohen atyre që e kanë themeluar atë.

“Zemërimi i qytetarëve ndaj gjykatës sot është i drejtë, ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015. Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që kundërshtuan. Kemi kundërshtuar që në fillim gjykatën, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot, deklaroi kryeministri, njofton Klankosova.tv.

Shefi i qeverisë e bëri të qartë se Kosovës i duhet presidenti.

“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por edhe president në Kosovë”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo