Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot vjen për vizitë zyrtare në Shkup si pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
MARKETING
Siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, Fon der Lajen do të ketë takim tet-a-tet me kryeministrin, Hristijan Mickoski, pas të cilit do të mbajnë konferencë të përbashkët për media në qendrën për media të Qeverisë.
Kryeministri Mickoski në prag të vizitës së Fon der Lajenit, në një deklaratë për mediat përsëriti se Qeveria është e gatshme për bisedime dhe zgjidhje, duke i hedhur poshtë akuzat e opozitës se po e frenon rrugën e integrimeve evropiane me mos hapjen, gjegjësisht mospranimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Qëndrimi ynë është i qartë, argumentet tona janë të qarta. Jemi të gatshëm të bisedojmë, të debatojmë dhe në fund të ditës të gjejmë një zgjidhje”, theksoi Mickoski.
Fon der Lajen do të ketë takim edhe me presidenten Gordana Siljanovska – Davkova në Vilën Vodno. Do të bisedohet për perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit dhe për procesin e anëtarësimit drejt BE-së.
Në takimet pritet të bisedohet edhe për problemin me Bullgarinë dhe për mundësitë për tejkalimin e tij.
Shefi i diplomacisë, Timço Mucunski deklaroi para vizitës së Fon der Lajenit se Maqedonia dëshiron të gjejë një zgjidhje me Bullgarinë që do të sigurojë parashikueshmëri të procesit të integrimit evropian. Ai tha se ekziston një dëshirë nga ana e institucioneve evropiane dhe disa vendeve anëtare të BE-së për të ndihmuar në forcimin e angazhimit të ndërsjellë, për të hapur hapësirë për diskutim, por theksoi se qëndrimet tona janë absolutisht të qarta – në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese për shkak të mënyrës se si Bullgaria po pozicionohet.
Edhe pse ka kontakte dypalëshe me Sofjen, kjo nuk ka çuar në ndonjë përparim deri më tani dhe për këtë arsye, sipas Mucunskit, nevojitet ndihmë nga pala e interesuar, që është BE-ja. Prandaj, ai e sheh pozitivisht vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në Shkup dhe me të cilën, ndër të tjera, kjo temë do të diskutohet më konkretisht. Në vendin tonë, tha ministri, nuk ka dilemë se na duhet zgjidhje, por po vendosim një vijë të kuqe – se duhet të gjendet një zgjidhje që do të na ofrojë parashikueshmëri dhe siguri.
Vizita në vendin tonë është pjesë e turit të Fon der Lajenit në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të turit ajo i vizitoi Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën.
Këtë herë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk ishin pjesë e agjendës së saj. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arijana Podesta, njoftoi se të dyja vendet janë përjashtuar sepse po përgatiten për zgjedhje. Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 25 tetor, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë janë caktuar zgjedhje të përgjithshme më 4 tetor.