Edhe një GRUA Presidente në Republikën e Kosovës





Shkruan Redona Izairi Bexheti

Prof. Dr. Justina Shiroka Pula!
Sa gëzim! Dua të përshëndes shumë zgjedhjen e Prof. Dr. Justina Shiroka Pula Presidente e Republikës së Kosovës.
Mbi të gjitha, më lumturon shumë fakti që edhe njëherë një grua ngjitet në majën më të lartë të përfaqësimit shtetëror. Është shumë frymëzuese të shohësh se si Kosova po krijon hapësirë për gratë në pozitat më të larta insitucionale, duke dëshmuar se gruaja mund edhe duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Megjithatë, ky gëzim më sjell dhe një ndjenjë keqardhjeje të madhe kur e krahasoj me realitetin në Maqedoninë e Veriut. Sipas përvojës dhe bindjes time personale, këtu shpeshherë nuk vlerësohet as bagazhi akademik, as përgatitja profesionale, as vitet e përkushtimit dhe as kontributi që një grua jep në arsim, shkencë, shoqëri e familje. Madje, jo rrallë, të gjitha këto as që merren parasysh kur bëhet fjalë për avancim dhe pozita vendimmarrëse. MERITOKRACIA, që duhet të jetë themeli i çdo shoqërie të zhvilluar, shpesh mbetet vetëm një fjalë e bukur në letër.
Këtë e them edhe nga përvoja ime personale sigurisht, si doktor i shkencave, mësimdhënëse në gjimnaz dhe profesoreshë e angazhuar në kohë të pjesshme në universitet për plot 12 vite. Pas gjithë atyre viteve studimi, pune, përkushtimi akademik dhe kontributi në edukimin e brezave, është e dhimbshme të ndjesh se arritjet dhe potenciali yt nuk vlerësohen ashtu siç e meritojnë. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e një pozite apo një individi, por e një MENTALITETI që duhet të ndryshojë.
Një GRUA nuk duhet të dëshmojë dyfish më shumë, vetëm për tu vlerësuar përgjysëm! Titujt akademikë, puna, dija dhe kontributi nuk duhet të mbeten peng i paragjykimeve, lidhjeve apo interesave të ngushta. Një SHOQËRI që nuk u krijon mundësi të barabarta grave të arsimuara dhe të përkushtuara, humbet një pjesë të çmuar të potencialit të vet.
Urime Presidente! Uroj që ky shembull nga Kosova të shërbejë si frymëzim edhe për vendin tone. Sepse GRATË nuk kërkojnë privilegje, por mundësi të barabarta, respekt dhe vlerësim të MERITUAR!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo