ASH: Është koha për vendime të guximshme dhe strategjike në interes të qytetarëve, mjaft më me pritje
Vizita e sotme e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup e bëri edhe më të qartë atë që Aleanca për Shqiptarët e tha para ardhjes së saj. Momenti duhet të shfrytëzohet dhe vendi duhet të ecë përpara.
Mesazhi i sotëm nga Brukseli ishte i qartë dhe konkret. Për të hapur klasterin e parë të negociatave ka mbetur një hap kyç, debllokimi i procesit eurointegrues me ndryshimet kushtetuese ndërsa pas zhbllokimit të procesit vendi do të marrë edhe planin e veprimit për fazën e ardhshme.
Pra, zgjidhja ekziston. Ajo që mungon është vetëm vullneti politik.
Në të njëjtën kohë, vendet fqinje po avancojnë, po hapin dhe mbyllin kapituj dhe po vendosin afate gjithnjë e më konkrete për rrugëtimin e tyre evropian. Procesi i zgjerimit është në lëvizje dhe Maqedonia e Veriut nuk guxon të mbetet jashtë këtij momentumi.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se pas vizitës së sotme nuk ka më hapësirë për humbje të reja kohe. Dialogu duhet të vazhdojë, çështjet e hapura duhet të zgjidhen dhe obligimet e marra duhet të trajtohen me përgjegjësi politike dhe institucionale.
Është pozitive që dialogu me vendet fqinje vazhdon. Por dialogu duhet të prodhojë rezultat dhe jo një cikël të ri pritjeje.
Qytetarët e këtij vendi kanë pritur mjaftueshëm.
Nëse pas zhbllokimit na pret një plan i qartë veprimi dhe një fazë e re e negociatave, atëherë prioriteti duhet të jetë pikërisht zhbllokimi i procesit.
Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë edhe për një vit të humbur. Ka nevojë për vendime, reforma dhe për një perspektivë evropiane që më në fund të shndërrohet në proces real.
Evropa po lëviz. Rajoni po lëviz. Është koha të lëvizim edhe ne.