Ziyech pritet si hero në Brazil, tifozët e Botafogos e përshëndesin në arabisht

Hakim Ziyech ka mbërritur në Rio de Janeiro, ku është shumë pranë zyrtarizimit si futbollist i ri i Botafogos.

Ylli maroken pritet t’i bashkohet klubit brazilian si lojtar i lirë, pasi ndërpreu kontratën me Wydad Casablanca.

Me të dalë nga aeroporti, Ziyech u shfaq me shallin e Botafogos dhe flamurin e klubit në duar, duke pozuar fillimisht për fotografi përpara se të dilte për të takuar tifozët e skuadrës së tij të re.

Tifozët e pritën me thirrje në arabisht

Rreth 100 tifozë të Botafogos ishin mbledhur jashtë aeroportit për ta pritur reprezentuesin e Marokut.

Ata brohoritën “Salamaleiko”, versioni portugez i përshëndetjes arabe “Es-selamu alejkum”, që do të thotë “Paqja qoftë mbi ju”.

Sipas “Globo” dhe “ESPN Brazil”, tifozët kënduan gjithashtu një këngë në emër të tij, duke brohoritur “Ziyech ka ardhur”.

Pritja e ngrohtë e emocionoi 33-vjeçarin, i cili dha edhe deklaratat e para për kanalin zyrtar të Botafogos.

“Gjithçka shkoi mirë. Udhëtimi ishte pak i gjatë, por i rehatshëm. Jam shumë i emocionuar. Kjo është vizita ime e parë në Brazil, por gjithmonë kam dashur të vij këtu. Tani kjo është bërë realitet”, deklaroi Ziyech.

“Brazili është numri një në botën e futbollit. Këtu futbolli është mënyrë jetese, diçka që më prek në zemër dhe që gjithmonë kam dashur ta përjetoj”, shtoi ai.

Kontrollet mjekësore dhe kontrata deri në vitin 2028

Ziyech pritet t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore në qendrën stërvitore Lonier të Botafogos, përpara se të nënshkruajë kontratën e re.

Marrëveshja pritet ta mbajë atë në klub deri në dhjetor të vitit 2028.

Një karrierë e pasur në Evropë

Hakim Ziyech ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në futbollin evropian.

Ai luajti për Ajaxin nga viti 2016 deri më 2020, përpara se të transferohej te Chelsea, ku qëndroi deri në vitin 2023.

Më pas kaloi te Galatasaray, ku luajti deri në vitin 2025, përpara rikthimit në Marok te Wydad.

Tashmë, Botafogo do të jetë aventura e tij e parë në futbollin brazilian.

Një nga figurat e suksesit historik të Marokut

Ziyech ka qenë gjithashtu një prej lojtarëve më të rëndësishëm të kombëtares së Marokut.

Ai ka marrë pjesë në dy Kupa të Botës, në vitet 2018 dhe 2022.

Në Katar 2022, Ziyech ishte një nga figurat kryesore të Marokut në rrugëtimin historik deri në gjysmëfinale, duke e bërë skuadrën afrikane të parën nga kontinenti që arrinte në katërshen më të mirë të një Botërori.

Tani, në moshën 33-vjeçare, Ziyech nis një kapitull krejtësisht të ri në karrierë, në një prej vendeve ku futbolli konsiderohet pjesë e identitetit kombëtar..

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo