“Top treshja e Topit të Artë duhet të jetë e tëra me lojtarë të Barcelonës”

Eric García u rikthye në aksion duke mbajtur një maskë mbrojtëse pas frakturës së hundës, ashtu siç kishte bërë edhe vitin e kaluar.

Reprezentuesi i Spanjës dhe kampioni i botës, i cili është përzgjedhur si një nga kapitenët e Barcelonës për këtë sezon, foli për programin “Qué t’hi jugues” të “SER Catalunya” për një sërë temash.

“Do të mund të thosha se jam mësuar me të. Nuk është njësoj sikur të luash pa të, por tashmë më është dashur ta mbaj dy herë brenda gjashtë muajve. Hunda më dhemb pak dhe më kanë thënë se do të më duhet ta mbaj për dy muaj. Vitin e kaluar e mbajta sepse gjërat po shkonin mirë, por në fund u lodha prej saj dhe e hoqa”, tha ai për maskën e vendosur.

“Qëllimi im ka qenë gjithmonë të arrij nivelin më të lartë. Askush nuk mund të më garantonte diçka të tillë kur u ktheva nga huazimi te Girona”, shtoi ai.

“Ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Benficas ishte pika e kthesës. Ai gjithmonë më ka dhënë shumë besim. Flicku më ka bërë të kuptoj se mund të luaj në më shumë pozicione sesa mendoja. Madje tashmë kam bërë shaka me të se një ditë duhet të më provojë si sulmues. Mund të jetë argëtuese”, tha tutje Garcia.

“Mesfusha qendrore është një pozicion më i vështirë, sepse e merr topin me shpinë nga porta. Gjithmonë kam luajtur si mbrojtës qendror, por ndihem rehat edhe si mbrojtës krahu, edhe pse duhet të vraposh më shumë. Këtë vit, Flicku më paralajmëroi që do të luaja më shumë si mbrojtës krahu. Ai është më kërkues këtë vit, veçanërisht kur bëhet fjalë për punën fizike”, foli ai për ndyshimin e pozitës në formacion.

“Me mënyrën se si luajmë, mbrojtësit e krahut lëvizin më shumë në qendër. Nëse kjo ia kujton Flickut Philipp Lahmin, nuk do të kundërshtoj. Të luash me Lamine Yamalin përpara teje do të thotë të përpiqesh t’ia japësh topin, të mos i pengosh shumë dhe të shohësh se çfarë bën ai”, tha ai.

“Kam qenë kapiten në ekipet e të rinjve. Është privilegj. Përpiqesh t’i ndihmosh bashkëlojtarët. Ne votuam në një copë letër pasi Flicku zgjodhi dy kapitenët e parë. Ia dhamë letrat Carles Navalit (delegatit të ekipit të parë të Barcelonës), dhe ai do ta dijë nëse dikush ka bërë shaka. Por nëse dikush ka shkruar një emër të çuditshëm, ai ishte padyshim Szczesny”, u shpreh Garcia.

“E ke në mendje atë që ke arritur, sepse të jep besim. Shumë pak lojtarë e kanë fituar atë. Por duhet të vazhdosh të punosh. Nuk mund të dalësh në fushë duke menduar: ‘Jam kampion bote, shikoni mua’”, tha ai tutje.

“Në stërvitje, kur kemi javë më të gjata, provojmë kombinime të ndryshme. Por zakonisht nuk ka kohë të mjaftueshme, ndaj fokusohemi më shumë te videot dhe puna individuale. Cilësia e stërvitjeve është shumë e lartë.”

“Tani ka ardhur Gabriel Jesus dhe ai është një bishë. Njësoj si Anthony Gordon apo Karim Adeyemi. Nuk do t’ju them asgjë që nuk e dini tashmë për Rodrin”, tha Garcia, kur foli për transferimet e reja.

“Është objektivi i të gjithëve. Kemi një skuadër shumë të kompletuar, me shumë cilësi dhe konkurrencë. Por La Liga duhet të jetë gjithashtu një objektiv i rëndësishëm. Liga e Kampionëve ndonjëherë mund të vendoset edhe nga hedhja e një monedhe dhe kjo ka ndikim”, tha Garcia.

Ai foli edhe për top-treshen e Topit të Artë.

“Tre të parët duhet të jenë të gjithë lojtarë të Barcelonës, kjo është e qartë, dhe Lamine Yamal duhet ta fitojë atë. Ka edhe lojtarë të tjerë si Cubarsí dhe Olmo që mund të jenë aty. Lamine, Pedri dhe Raphinha do të ishin tre të parët e mi. Është e pabesueshme për mua që ata nuk janë nominuar”, tha ai.

Tutje, ai foli edhe për Real Madridin.

“Janë shumë të rrezikshëm në fazën ofensive. Janë jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe ndëshkojnë çdo gabim. Të luash kundër tyre gjithmonë të jep motivim shtesë dhe me Mourinhon ka edhe një element të veçantë”, e mbylli Garcia.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo