Një shpërthim është regjistruar mbrëmjen e së premtes në një magazinë armësh në Bullgarinë qendrore, duke shkaktuar një zjarr të madh. Autoritetet lokale njoftuan se nga incidenti nuk ka persona të lënduar.
Ngjarja ndodhi pranë fshatit Tsareva Livada, ndërsa bëhet fjalë për incidentin e dytë të këtij lloji në një objekt që lidhet me municionet brenda pak javësh.
Mediat lokale raportojnë se zjarri ka shpërthyer në një objekt të kompanisë bullgare të tregtimit të armëve EMCO. Edhe muajin e kaluar ishte regjistruar një shpërthim në një tjetër objekt të së njëjtës kompani.
“Për momentin, zjarri ndodhet në zonën e magazinave të fabrikës. Ai po përhapet nga një magazinë në tjetrën”, deklaroi në orët e para të mëngjesit për mediat guvernatorja e qarkut Gabrovo, Kristina Sidorova.
Kompania EMCO është në pronësi të tregtarit bullgar të armëve Emilian Gebrev. Sipas prokurorëve bullgarë, objektet e kompanisë kanë qenë më herët në shënjestër të sulmeve të dyshuara të agjentëve rusë.
Në vitin 2024, Bullgaria lëshoi urdhër-arreste për gjashtë shtetas rusë, të dyshuar për përfshirje në shpërthimet dhe shkatërrimin e magazinave të armëve të EMCO-së. Në këto ambiente ruheshin municione që do të eksportoheshin drejt Ukrainës dhe Gjeorgjisë gjatë periudhës 2011-2020.
Prokurorët bullgarë kanë lidhur më herët shpërthimet në magazinat e municioneve me një tentativë për helmimin e Emilian Gebrev në vitin 2015, si edhe me shpërthimet e vitit 2014 në magazinat e municioneve në Republikën Çeke.
Moska i ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në këto incidente. Autoritetet bullgare vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga zjarri.