“Nëse do bisedime eja në Moskë”, Lavrov i përgjigjet Zelenskyt: Nuk na mungon vullneti, por atij i mungon karakteri

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka cilësuar si një “gjest të madh vullneti të mirë” ftesën e bërë ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të vizituar Moskën. Gjatë një komenti për mediat ruse, kryediploti i Kremlinit iu përgjigj propozimit të Zelenskyy-t për të zhvilluar një takim me Vladimir Putin gjatë samitit të G20 në SHBA, duke këmbëngulur se nëse pala ukrainase dëshiron bisedime, ato duhet të zhvillohen në kryeqytetin rus.

“Dmitry Peskov ka folur tashmë për këtë, besoj. Një ftesë i është dërguar këtij personi. Nëse dëshiron të takohet, le të vijë,” u shpreh Lavrov. Më tej, ai shtoi se pala ruse ka treguar gatishmëri, me gjithë dekretin ukrainas që ndalon kontaktet zyrtare me udhëheqjen e Kremlinit. “Dhe ky është një gjest i madh vullneti të mirë nga ana jonë, sepse ai ende nuk e ka anuluar dekretin e tij që ndalon kontaktin me Putinin dhe ekipin e tij. Pra, nuk na mungon vullneti i mirë, por atij, siç e kuptoj unë, i mungon karakteri i mirë,” deklaroi ai.

Shefi i diplomacisë ruse pohoi gjithashtu se Rusia mbetet e hapur për dialog, por bëri të qartë se ushtria ruse nuk do t’i ndërpresë veprimet luhtarake gjatë kohëzgjatjes së negociatave. Qëndrimi i tij pason deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili konfirmoi se nëse Zelenskyy kërkon me të vërtetë një përballje me Putinin, duhet të udhëtojë drejt Moskës. Ndërkohë, ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, bëri me dije se prania e Putinit në samitin e G20 në Miami nuk është diskutuar ende.

Ukraina ka propozuar në mënyrë të vazhdueshme që një takim i mundshëm mes dy liderëve të mbahet në territor neutral për të negociuar përfundimin e luftës. Megjithatë, Moska zyrtare i ka refuzuar sistematikisht këto propozime, duke këmbëngulur se tryeza e bisedimeve mund të ngrihet vetëm në kryeqytetin rus.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo