Shkup, 31 gusht – Viti i ri shkollor 2026/2027 për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nis nesër, më 1 shtator. Për 14.500 nxënës të klasës së parë, kjo do të jetë përballja e tyre e parë me bankat shkollore, shkruan gazeta KOHA. Mësimi për ta do të zgjasë deri më 10 qershor, ndërsa për maturantët do të përfundojë më 17 maj, bëri të ditur sot në një konferencë për media ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
“Numri i nxënësve të klasës së parë nuk është përfundimtar, pasi regjistrimi plotësues do të zgjasë deri në fund të shtatorit”, deklaroi ministrja. Ajo shtoi se, pas përfundimit të regjistrimeve, pritet të ketë të paktën 3.000 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Rënia e numrit të nxënësve do të ndikojë edhe në organizimin e mësimit. Për shkak të mungesës së nxënësve, përkohësisht do të mbyllen 26 shkolla periferike, ndërsa me optimizimin e rrjetit shkollor janë shuar 433 paralele.
“Tani paralelet e tilla i kemi bashkuar dhe, për këtë arsye, gjatë këtij viti në sistemin arsimor do të kemi 433 paralele më pak – 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm”, tha ministrja, duke pohuar se asnjë mësimdhënës i punësuar me marrëdhënie të rregullt pune nuk është larguar nga puna.
Sipas Janevskës, këtë vit janë siguruar 622.000 libra shkollorë dhe janë kursyer 50 milionë denarë, krahasuar me vitin para se ajo ta merrte drejtimin e Ministrisë së Arsimit.
Ajo shtoi se janë siguruar libra krejtësisht të rinj për klasën e parë, të dytë dhe të tretë, për klasën e tetë, si dhe për vitin e dytë të arsimit të mesëm në gjimnaze.
Këtë vit, mësimi me një ndërrim është vendosur në 620 nga gjithsej 1.023 objekte shkollore, ndërsa po zhvillohet zgjerimi i kapaciteteve në 14 shkolla në Shkup dhe Gradsko. Për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore janë angazhuar 1.358 asistentë në shkollat fillore dhe 166 në shkollat e mesme. (koha.mk)