Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka folur për herë të parë më gjerësisht për racizmin me të cilin është përballur në futboll, duke iu referuar veçanërisht incidenteve të ndodhura në “Santiago Bernabéu”.
Deklaratat e tij janë dhënë në prag të paraqitjes në emisionin “Universo Valdano”, ndërsa intervista ka marrë vëmendje të madhe në mediat spanjolle.
Gjatë bisedës, Jorge Valdano e pyeti drejtpërdrejt nëse kishte përjetuar ndonjëherë racizëm.
Përgjigjja e Yamal ishte e qartë.
“Po, shumë herë. Njerëzit mund të jenë racistë ndaj teje edhe në mënyrë indirekte dhe ndonjëherë as vetë nuk e kuptojnë. Ka shumë komente dhe shumë shikime që mund të kenë ngarkesë raciste”, ka thënë ai.
Kujton incidentin në “El Clasico”
Yamal iu referua edhe ndeshjes së famshme “El Clasico” të 26 tetorit 2024, kur ai dhe Raphinha u përballën me fyerje raciste dhe ksenofobe nga një pjesë e tifozëve në tribuna.
Sulmuesi i Barcelonës tha se reagimi i tij në atë moment ishte keqkuptuar nga shumë njerëz.
“Për shembull, është ajo video e njohur nga ‘Santiago Bernabéu’, ku më drejtoheshin fjalë fyese mua dhe Raphinhas. Njerëzit u habitën nga reagimi im. Në fund, nëse dikush më quan ‘i zi’, kjo nuk më shqetëson, sepse unë jam i zi dhe nuk jam ndonjë ngjyrë tjetër”, ka deklaruar Yamal.
Ai theksoi megjithatë se problemi qëndron te qëllimi dhe mënyra se si përdoret termi.
“Çështja nëse kjo është e drejtë apo e gabuar është tjetër gjë. Ai ma tha në mënyrë fyese. Kjo është gabim. Por ajo që nuk do të bëj është që, gjatë një ndeshjeje ku njerëzit kanë paguar biletën për të më parë, të humbas kontrollin për shkak të dikujt që nuk po më respekton.”
La Liga e raportoi rastin
Pas incidentit, La Liga e kishte njoftuar Policinë Kombëtare të Spanjës, ndërsa Real Madrid hapi një hetim të brendshëm.
Sipas informacionit të bërë publik më pas, një i mitur ishte identifikuar si autor i fyerjeve.
Prokuroria për të mitur vendosi që ai të ndalohej për 12 muaj nga hyrja në stadiumet ku zhvillohen gara zyrtare futbolli.
Gjithashtu, i mituri u urdhërua të kryente 30 orë punë në komunitet dhe t’i kërkonte falje zyrtarisht futbollistit.
Yamal: “Nuk do t’i jap askujt kënaqësinë të më nxjerrë nga loja”
Deklaratat e Yamal kanë marrë vëmendje të madhe për shkak të qetësisë me të cilën ai e trajton një çështje kaq të ndjeshme.
Pavarësisht moshës së re, futbollisti i Barcelonës ka bërë të qartë se nuk dëshiron që fyerjet raciste të ndikojnë në paraqitjen e tij në fushë.
Mesazhi i tij është se racizmi mbetet i papranueshëm, por reagimi i tij personal do të jetë të vazhdojë të luajë dhe të mos lejojë që provokimet ta largojnë nga loja.