Kartoni i zi ka mbërritur në futboll. Federata e Rumanisë ka sjellë një rregull të ri për të frenuar sjelljen e pahijshme të prindërve dhe spektatorëve gjatë ndeshjeve të futbollit të të rinjve.
Federata Rumune e Futbollit njoftoi sot, të premten, se do të vendosë kartonin e zi për të ndëshkuar sjelljet abuzive dhe të pahijshme në futbollin e të rinjve. Masa synon t’i mbrojë fëmijët nga presioni dhe abuzimi me të cilin mund të përballen nga tribunat, raportoi gazeta katalanase “Sport”.
Është një hap pionier në sportin botëror. Federata deklaroi: “Futbolli duhet të mbetet një lojë, një hapësirë gëzimi dhe rritjeje të shëndetshme për fëmijët. Përmes platformës BRAVO, federata rumune vazhdon përpjekjet e saj për të luftuar një nga situatat më të dhimbshme në futbollin e të rinjve: ngacmimin dhe presionin e ushtruar nga prindërit dhe spektatorët nga tribunat”.
Federata sqaroi, në një deklaratë, se komiteti i emergjencave e miratoi rregulloren e re “më 11 shtator” dhe se ajo është “përfshirë fillimisht në sistemin e garave të fëmijëve dhe të rinjve”.
Duke u aplikuar në kategoritë e moshave nga 7 deri në 16 vjeç, masa e re disiplinore bazohet në parimin se “fëmijët nuk duhet të jenë viktima të ambicieve, presioneve apo frustrimeve të të rriturve në tribuna”.
Ç’është më e rëndësishmja, karta e zezë nënkupton ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes. Federata shpjegoi: “Kartoni i zi është sinjali vizual përmes të cilit gjyqtari njofton, pa asnjë paqartësi, se ndeshja është ndërprerë përfundimisht për shkak të sjelljes së pahijshme të spektatorëve ose prindërve. Sjellja abuzive nuk ndikon vetëm në rrjedhën e ndeshjes, por mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta te fëmijët dhe te i gjithë ekipi”.
Gjyqtari vendos nëse sjellja e prindërve dhe spektatorëve i përshtatet natyrës së një ndeshjeje të të rinjve, me ndihmën e gjyqtarit të katërt, nëse është i pranishëm, ose të ndonjë zyrtari tjetër të ndeshjes.
Arritja te kartoni i zi kalon nëpër disa etapa. Ajo nis me një paralajmërim të parë dhe mund të arrijë deri te një ndërprerje e përkohshme e ndeshjes për 10 minuta.
Pasi gjyqtari konstaton sjellje të pahijshme, fillimisht u kërkon trajnerëve t’i drejtohen turmës dhe jep një paralajmërim përmes altoparlantit. Nëse sjellja vazhdon, ai e ndërpret përkohësisht ndeshjen dhe i dërgon të dyja skuadrat në dhomat e zhveshjes.
Nëse sjellja përsëritet pasi loja rifillon, kartoni i zi jepet pas paralajmërimit të tretë. Protokolli përcakton se “nëse sjellja abuzive vazhdon pas rifillimit të lojës, gjyqtari i bie bilbilit për ta përfunduar ndeshjen. Ndeshja ndërpritet përfundimisht dhe nuk mund të rifillojë”.
Federata shtoi: “Gjyqtari tregon kartonin e zi si sinjal vizual të vendimit për ta ndërprerë përfundimisht ndeshjen. Është një shenjë se kufiri është tejkaluar. Nëse masat korrigjuese nuk arrijnë ta ndalojnë sjelljen abuzive, ndeshja nuk mund të vazhdojë dhe gjyqtari tregon kartën e zezë për ta përfunduar ndeshjen zyrtarisht dhe në mënyrë të dukshme”.
Cilat sjellje synon të ndëshkojë rregullorja? Abuzimin verbal, përfshirë fyerjet dhe qortimet, si dhe goditjen apo shtyrjen e fëmijëve, por edhe fyerjen, goditjen apo shtyrjen e anëtarëve të stafit teknik të ekipit të tyre.
Ndëshkimet përfshijnë gjithashtu fyerjen, goditjen apo shtyrjen e lojtarëve të ekipit kundërshtar ose të anëtarëve të stafit të tij teknik, kundërshtimin ose fyerjen e vazhdueshme, goditjen apo shtyrjen e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes, si dhe konfliktet verbale ose fizike me prindër apo spektatorë të tjerë.