Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, nuk e ka fshehur kënaqësinë që Arsenali dështoi ta transferonte Julian Alvarez gjatë afatit kalimtar të verës.
Arsenali, që u shpall kampion i Anglisë për herë të parë që nga viti 2004, përforcoi skuadrën gjatë verës me emra si Bruno Guimaraes, Ezri Konsa dhe Christos Tzolis.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi sipas planeve të klubit londinez, i cili dështoi të siguronte disa nga objektivat kryesore për repartin ofensiv.
“Topçinjtë” shqyrtuan mundësinë e një transferimi të madh të Vinicius Junior, por braziliani refuzoi interesimin e tyre dhe rinovoi kontratën me Real Madridin.
Edhe Morgan Rogers ishte në listën e dëshirave, por ai zgjodhi të transferohej te Chelsea.
Një tjetër emër i rëndësishëm ishte Julian Alvarez. Sulmuesi i Atletico Madridit kishte shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga klubi gjatë verës.
Pasi Atletico bëri të qartë se nuk dëshironte ta shiste te Barcelona, Alvarez nuk tregoi shumë interes për një kalim te Arsenali.
Ky zhvillim e ka kënaqur Steven Gerrard.
Duke folur për “TNT Sports”, ish-kapiteni i Liverpoolit tha se e kupton pozicionin e të gjitha palëve.
“E kuptoj këndvështrimin e tij, por Atletico Madrid nuk dëshiron të përforcojë një rival dhe të shndërrohet në një klub që furnizon me lojtarë skuadrat me të cilat konkurron në kampionat dhe në Champions League. Prandaj mund të kuptohet edhe pozicioni i klubit”, deklaroi Gerrard.
Më pas ai shtoi me humor:
“Unë jam thjesht i lumtur që nuk shkoi te Arsenali. Po e lë me kaq.”
Alvarez nuk arriti të shënonte në “Anfield”, teksa Atletico Madrid u mposht 2-1 nga Liverpooli, por Gerrard beson se argjentinasi do ta rifitojë shpejt mbështetjen e tifozëve të klubit spanjoll.
“Mendoj se ai ka besimin dhe mbështetjen e trajnerit. Një gol dhe një paraqitje e mirë mund të ndryshojnë shumë gjëra”, tha ai.
Megjithatë, Gerrard pranoi se dështimi për të realizuar transferimin që dëshironte mund të mbetet në mendjen e Alvarez.
“Ndoshta do ta ketë gjithmonë në mendje faktin se mundësia për të realizuar ëndrrën e tij ka kaluar, ndoshta përgjithmonë.”
Në fund, legjenda angleze nuk i kurseu komplimentet për sulmuesin argjentinas.
“Ai është një futbollist i klasit të lartë, shumë emocionues për t’u parë dhe tepër inteligjent. Nuk është aspak befasi që kërkohet nga klubet më të mëdha në botë. Ai di të shënojë, por edhe të krijojë raste. Më pëlqen shumë ta shikoj duke luajtur”, përfundoi Gerrard.