“Epstein Files” në duart e drejtësisë italiane/ Prokuroria e Romës kërkon dokumentet sekrete nga SHBA
Prokuroria e Romës ka hapur një hetim për të verifikuar nëse ka pasur raste abuzimi seksual, rekrutimi apo trafikimi të lidhura me rrjetin e Jeffrey Epstein në Itali.
Hetimi vjen pas publikimit të dokumenteve të shumta të çështjes dhe një denoncimi të bërë nga rrjeti i qendrave kundër dhunës “Differenza Donna”.
Prokuroria romane i është drejtuar Departamentit amerikan të Drejtësisë për të siguruar dokumentet që lidhen me çështjen Epstein, përfshirë edhe materiale që nuk janë bërë publike.
Synimi është të verifikohet nëse në këto dokumente ka të dhëna për shtetas italianë, ngjarje të ndodhura në Itali apo persona që mund të kenë pasur rol në rekrutimin ose transferimin e viktimave.
Në fokus janë edhe të dhënat për lëvizjet dhe qëndrimet e Epstein në Itali.
Në dokumentet e bëra publike janë evidentuar referenca për Capri, Bregdetin Amalfitan, Costa Smeralda, Romën dhe Milanon. Autoritetet duan të kuptojnë nëse këto udhëtime kanë lidhje me veprime që mund të jenë objekt i drejtësisë italiane.
Hetimi ka nisur pas një denoncimi të paraqitur më 26 mars nga “Differenza Donna”, e cila i kërkoi drejtësisë italiane të verifikojë nëse në dokumentet amerikane ka të dhëna për gra apo vajza italiane, raste të ndodhura në Itali apo veprimtari të lidhura me rrjetin e shfrytëzimit seksual.
Peruja shpall gjendjen e jashtëzakonshme në 5 burgje/ Synon të godasë bandat kriminale nga brenda qelive
Italia bëhet kështu një nga vendet evropiane që po shqyrtojnë lidhjet e mundshme me rrjetin e Epstein, pas hetimeve dhe verifikimeve të raportuara edhe në Francë, Norvegji, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Në dokumentet dhe diskutimet e fundit është përmendur edhe emri i biznesmenit italian Lapo Elkann. Ai ka pranuar se është takuar dy herë me Epstein, një herë në Nju Jork dhe një herë në Romë, por ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe ka thënë se nuk ka pasur korrespondencë të drejtpërdrejtë me të.
Hetimi i Prokurorisë së Romës është aktualisht në fazën e verifikimit të dokumenteve dhe rrethanave. Përmendja e një personi në dosjet Epstein apo fakti që ka pasur kontakt me financierin nuk përbën në vetvete provë për përgjegjësi penale.