Drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama nënshkroi Memorandumin për kyçjen e Maqedonisë së Veriut në Korridorin Vertikal
Drejtori Ekzekutiv i NOMAGAS SHA Shkup, Nedim Rama, sot në Selanik nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për kyçjen e Maqedonisë së Veriut në iniciativën “Korridori Vertikal”, me çka vendi bëhet pjesë e bashkëpunimit më të gjerë rajonal për ndërlidhjen e sistemeve të transmetimit të gazit natyror në Evropën Juglindore dhe Qendrore.
Me nënshkrimin e Memorandumit, NOMAGAS i bashkohet operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit natyror që zhvillojnë Korridorin Vertikal – një iniciativë rajonale që ndërlidh sistemet e gazit të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Serbisë dhe krijon një aks më të gjerë për transmetimin e gazit natyror në drejtimin jug–veri.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në The Met Hotel, në kuadër të Forumit të 10-të të Energjisë për Evropën Juglindore (SEEF 2026), pas tryezës së rrumbullakët ministrore “Security, Affordability and Competitiveness in a Changing Energy Landscape”. Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stavros Papastavrou, ministër i Mjedisit dhe Energjetikës i Greqisë, Iva Petrova, ministre e Energjetikës e Bullgarisë, Michael Damianos, ministër i Energjetikës, Tregtisë dhe Industrisë i Qipros, si dhe István-Lóránt Antal, senator dhe kryetar i Komitetit për Energjetikë, Infrastrukturë Energjetike dhe Lëndë Minerale në Senatin e Rumanisë.
“Për Maqedoninë e Veriut, kyçja në Korridorin Vertikal do të forcojë bashkëpunimin rajonal, do të mbështesë integrimin më të mirë të sistemit tonë kombëtar të transmetimit të gazit natyror me rrjetin më të gjerë evropian, do të diversifikojë rrugët e furnizimit me gaz dhe do të avancojë sigurinë e furnizimit në rajon”, theksoi Nedim Rama, Drejtor general i NOMAGAS SHA Shkup.
Memorandumi përcakton një kornizë për zhvillimin dhe funksionimin e koordinuar të sistemeve të ndërlidhura të transmetimit, me fokus në shfrytëzimin më të mirë të infrastrukturës ekzistuese, eliminimin e pengesave të kapacitetit, rritjen e kapaciteteve në pikat e interkoneksionit dhe avancimin e mundësive për rrjedhje dydrejtimëshe të gazit natyror. Bashkëpunimi përfshin gjithashtu çështje teknike, rregullatore dhe komerciale, me qëllim që Korridori Vertikal të bëhet më fleksibil, më konkurrues dhe më tërheqës për përdoruesit e rrjetit.
Kyçja e Maqedonisë së Veriut e forcon bashkëpunimin rajonal drejt rritjes së sigurisë së furnizimit, diversifikimit të burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz natyror, si dhe ndërlidhjes më të mirë të tregjeve në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Memorandumi krijon një kornizë për ndërlidhjen e mëtejshme të sistemeve të vendeve pjesëmarrëse dhe zhvillimin e rrjedhave dydrejtimëshe të gazit natyror në drejtimin jug–veri.
Për zbatimin e Memorandumit është paraparë krijimi i një Komiteti Drejtues, i përbërë nga drejtorët kryesorë ekzekutivë të nënshkruesve, si dhe i një Ekipi të Projektit, i cili do të zbatojë aktivitetet e dakordësuara dhe, sipas nevojës, do të formojë grupe të specializuara pune për çështje teknike, komerciale dhe rregullatore. Memorandumi i ri e zëvendëson Memorandumin e datës 19 janar 2024 dhe është i vlefshëm për një periudhë prej tre vitesh, me mundësi vazhdimi automatik edhe për një vit, nëse asnjëra palë nuk kundërshton.
Maqedonia e Veriut tashmë po realizon hapa konkretë infrastrukturorë në drejtim të ndërlidhjes rajonale. Ndërtimi i interkonektorit të gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është në vijim, ndërsa pritet që projekti të përfundojë dhe të vihet në përdorim në tremujorin e tretë të vitit 2027. Paralelisht, po shënohet përparim edhe në interkonektorin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Forumi i 10-të i Energjisë për Evropën Juglindore është organizuar nga American-Hellenic Chamber of Commerce dhe Hellenic Association for Energy Economics.
Për NOMAGAS SHA Shkup
NOMAGAS SHA Shkup është shoqëri aksionare në pronësi shtetërore, e cila është operator i sistemit të transmetimit të gazit natyror të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është përgjegjëse për kontrollin dhe menaxhimin e rrjetit, mirëmbajtjen, zhvillimin, ndërtimin e tij, si dhe ndërlidhjen me sisteme të tjera të transmetimit të gazit natyror.


