“Dhimbja nuk zhbëhet, por sjell ngushëllim”, familjet e të zhdukurve mirëpresin aksionin në veri

Të dielën që lamë pas, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, arrestuan nëntë persona në Zubin Potok, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte.

Sipas njoftimit të Prokurorisë dhe Policisë, operacioni “Dosja 23” ka lidhje me “Grupin e Intelektualëve”, ku tre nga 23 prej tyre janë identifikuar pas zbulimit të varrezave masive në Zubin Potok, transmeton Klankosova.tv.

E familjarët e të zhdukurve, kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.

Në emisionin “Ora Shtatë”, Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se ka mirëpritur dhe mbështetur veprimet e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Pos tjerash, ai bëri të ditur që familjarët kanë deklaruar se kjo nuk zhbën dhimbjen, por është një lloj ngushëllimi.

“Familjet kanë pritur gjatë dhe meritojnë të vërtetën e plotë dhe drejtësinë. Siç e kanë thënë edhe vetë familjarët, drejtësia nuk e zhbën dhimbjen, por sjell ngushëllim për familjet dhe dëshmon se vuajtja e tyre nuk është harruar”, ka deklaruar Gara.

Ndërkohë, sa i përket mbetjeve mortore të tjera që janë në proces të ekzaminimit të ADN-së, Gara tha se po bëhet çmos që të procedohen sa më shpejtë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo