Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot mori pjesë në Sixth Thessaloniki Metropolitan Summit, në organizim të The Economist, ku si mysafire nderi dhe folëse kryesore iu drejtua përfaqësuesve të lartë nga politika, ekonomia dhe biznesi të Greqisë, rajonit dhe Evropës.
Samiti i këtij viti, me titull “Axis 2030: Powering connectivity, unlocking growth for south-east Europe”, i kushtohet të ardhmes së lidhjes, zhvillimit ekonomik dhe sfidave gjeopolitike e energjetike me të cilat përballet Evropa Juglindore.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska theksoi se siguria energjetike sot është e pandashme nga diversifikimi i burimeve, infrastruktura ndërkufitare dhe lidhja rajonale:
“Pavarësia energjetike do të thotë sovranitet shtetëror. Sot nuk mjafton vetëm të kemi energji – duhet të dimë nga ku mund të vijë, nëpër cilat rrugë mund të arrijë dhe nëse ato rrugë janë të sigurta, të diversifikuara dhe të ndërlidhura. Varësia nga një furnizues i vetëm na bën të brishtë. Prandaj diversifikimi dhe lidhja ndërkufitare nuk janë më çështje zgjedhjeje, por çështje sigurie energjetike dhe zhvillimi ekonomik.”
Tema e panelit ishte Korridori Vertikal i Gazit, ku Bozhinovska e vlerësoi projektin si një nga më të rëndësishmit për arkitekturën e re energjetike dhe gjeostrategjike të Evropës Juglindore:
“Korridori vertikal nuk është vetëm infrastrukturë gazi. Ai është arkitektura e re e sigurisë, ekonomisë dhe gjeostrategjisë së Evropës Juglindore.”
🔹 Interkonektori me Greqinë – Bozhinovska njoftoi se ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë po ecën sipas dinamikës së planifikuar. Me gjatësi totale prej 123 km, nga të cilat rreth 68 km në territorin e Maqedonisë, pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2027. Ky projekt i jep vendit qasje direkte në korridorin jugor të gazit dhe në terminalet LNG të Revithusës dhe Aleksandrupolit.
🔹 Interkonektori me Serbinë – Ministrja theksoi se vizioni i Maqedonisë është të krijojë një lidhje të re drejt veriut, duke e shndërruar vendin nga pikë fundore në korridor tranzit energjetik që lidh jugun me Evropën Qendrore dhe Lindore.
Ajo shtoi se infrastruktura e re po zhvillohet me perspektivë për transport të ardhshëm të hidrogjenit dhe përputhje me objektivat afatgjata të BE për dekarbonizim.
Bozhinovska veçoi edhe investimet në energji të ripërtëritshme – diellore dhe të erës – si dhe modernizimin e rrjetit elektrik dhe interkonjeksionet ndërkufitare, përfshirë linjën Bitola–Elbasan që plotëson Korridorin 8.
“Asnjë vend në Evropën Juglindore nuk mund ta sigurojë vetë sigurinë energjetike. Prandaj na nevojitet solidaritet rajonal, lidhje infrastrukturore dhe treg energjetik i përbashkët.”
Ministrja përmbylli fjalimin duke theksuar se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj vizionit evropian për një sistem energjetik të lidhur, konkurrues dhe rezistent:
“Jemi të gatshëm për punë, të gatshëm për investime dhe të gatshëm të jemi shtyllë e sigurt e rezistencës energjetike të Evropës Juglindore.”