BDI: Shqiptarët gjithkund të përjashtuar, VLEN hesht

Nga ceremonitë shtetërore, te sporti, kultura dhe institucionet – shqiptarët po përjashtohen gjithkund, ndërsa VLEN hesht.

35 vjet pas pavarësisë, kjo qeveri po dëshmon se shteti mund të jetë i pavarur, por mendësia e vjetër mund të kthehet shpejt me vazalët e Vlen-it në pushtet.

Në shënimet e 35-vjetorit të pavarësisë, gjuha shqipe u anashkalua në organizimet shtetërore. Asnjë fjalë. Asnjë shkronjë. Asnjë shenjë. Sikur shqiptarët të mos ekzistojnë në këtë shtet.

Por shqiptarët nuk “ekzistojnë” as kur duhet të vlerësohen.

Në shpërblimet shtetërore “8 Shtatori”, edhe këtë vit rezultati është i turpshëm: 0 shqiptarë.

Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar në mesin e të vlerësuarve.

Pra, për këtë qeveri, shqiptari është i mirë vetëm kur duhet ta përfaqësojë shtetin dhe të sjellë medalje, por bëhet i padukshëm kur vjen momenti që shteti ta njohë dhe ta shpërblejë suksesin e tij.

Kjo nuk është rastësi. Është politikë.

Dhe në këtë politikë të përjashtimit, VLEN ka zgjedhur të jetë spektator. Ata që erdhën në pushtet me premtime për barazi, përfaqësim dhe të drejta të shqiptarëve, sot nuk kanë asnjë fjalë për shqiptarët që po përjashtohen.

Ku është VLEN-i?

Ku janë zëvendëskryeministrat?

Ku janë ministrat?

Ku janë premtimet për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”?

Kur shqiptarët përjashtohen, VLEN hesht. Kur shqiptarët diskriminohen, VLEN hesht. Kur kontributi i shqiptarëve fshihet, VLEN përsëri hesht.

Kjo është fytyra e tyre pas më shumë se dy vite në pushtet.
Është koha që VLEN të ndalojë së fshehuri kokën në rërë.

Shqiptarët nuk janë të padukshëm. Të padukshëm po bëhen vetëm ata që po i përfaqësojnë – VLEN.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo