“Përfshirja nga zjarri e fushave këtu në fshatin Tearcë la të djegura shumë ara, por dëmtoi edhe fusha të mbjella. E gjithë kjo, është si pasojë e faktorit njeri, thonë zjarrfikësit, por edhe kreu i komunës së Tearcës”.
“Afërsisht 5 apo 6 orë kemi intervenuar në këtë terren këtu me gjitha kapacitetet që ka stacioni i Tearcës dhe i Tetovës, pra u përfshimë gjithë këtu. Po ashtu kemi pasur intervenime të tjera të shumëta dje në Tetovë në sipërfaqe të hapura, gjithsej rreth dhjetë zjarre ka pasur dje në Tetovë. Ka pasur për një muaj rreth 30 intervenime që i ka bërë vetëm nënstacioni i Tearcës, ndërsa stacioni i Tetovës dhe i Bogovinës kanë rritje enorme të zjarreve dhe dihet që faktori njeri është kryesori, apo hedhja edhe e qelqit vend e pa vend që shkaktojnë zjarre me këto përmasa”, deklaroi Avni Ameti, Kryeshef i NJTKZ.
Kreu i komunës së Tearcës Daut Memishi, ka paralajmëruar përgjegjësi ligjore për personat që me dashje apo nga pakujdesia shkaktojnë zjarre.
“Nuk kemi konstatuar ende, por vërejtjet e para edhe të zjarrfikësve pasi zjarri ishte përhapur në katër pika të ndryshme, nënkupton se ka qenë zjarrvënie me qëllim. Apeloj miqësisht qytetarëve që të kenë kujdes sepse kjo javë do jetë më e nxehta e vitit, dhe meqë ka zjarre edhe në vende tjera, mundojnë ekipet për intervenim nga ajri sepse dje kërkuam ndërhyrje edhe nga ajri, por falë zjarrfikësve edhe të Tetovës u arrit shpejtë të lokalizohet, por falënderoj edhe banorët që ndihmuan për katër deri pesë orë pra arritën ta lokalizojmë. Sot i kemi në terren ekipet që të vërtetohet sa hektar është djegur. Parandaluam që zjarri të kaplojë edhe komunën e Jegunocit”, deklaroi Daut Memishi, Kryetar i komunës së Tearcës.
Memishi thotë se ka pasur zjarrvënie të qëllimshme brenda muajit edhe nëpër disa fshatra të Komunës së Tearcës të cilat vepra po hetohen dhe autorët do përgjigjen para Ligjit. Ndryshe, intervenimi në 36 raste vetëm nga njësiti i Tearcës për brenda një muaji, sipas Memishit dëmton shumë buxhetin e Komunës së Tearcës, andaj ka apeluar banorët që të bëjnë kujdes sidomos gjatë punimeve apo zjarreve që ndezin në fusha për të pastruar tokat.