Një zjarr ka përfshirë në orët e para të mëngjesit një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë të lënduar gjashtë persona.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”. Sipas policisë, flakët kanë nisur në ambientet e restorantit të godinës dhe më pas janë përhapur në pjesën e hotelit.
Për shkak të tymit dhe flakëve, disa prej personave që ndodheshin në godinë janë detyruar të dalin nga dritaret për t’i shpëtuar rrezikut. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Policisë, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen dhe lokalizimin e zjarrit.
Gjashtë pushues kanë marrë lëndime. Pesë prej tyre, shtetas të Kosovës, janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë. Dy prej të lënduarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup. Një tjetër i dëmtuar, shtetas nga Rrësheni, po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Nga zjarri janë shkaktuar edhe dëme materiale në godinë.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka dyshime se zjarri ka qenë aksidental. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, shkak dyshohet të jetë djegia e prizës elektrike së frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.