Trumpi urdhëron Pentagonin të reduktojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke u shprehur se ka marrëdhënie të mira me Kimin

Presidenti amerikan Donald Trump dje urdhëroi një reduktim të konsiderueshëm të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke iu referuar “marrëdhënies së tij shumë të mirë” me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Trump gjithashtu la të kuptohet se stërvitjet vjetore me forcat e Koresë së Jugut mund të anulohen plotësisht në të ardhmen.

“Unë nuk jam i kënaqur me faktin që SHBA-ja shumë kohë më parë ra dakord të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Këto stërvitje jo vetëm që janë të kushtueshme, ku një pjesë e madhe e shpenzimeve mbulohet nga SHBA-ja (si zakonisht!), por gjithashtu dërgojnë një sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor ndaj një vendi që, gjatë gjithë mandatit të Donald J. Trump si president, nuk ka paraqitur kërcënim dhe është sjellë me respekt”, shtoi ai.

“Prandaj, duke pasur parasysh se tashmë është tepër vonë për anulimin e tyre, e kam urdhëruar sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, që t’i reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake!”, tha Trump.

Trump gjithashtu deklaroi se Koreja e Jugut nuk dëshiron të marrë pjesë në procesin e “denuklearizimit” të drejtuar kundër Iranit.

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë aleatë të ngushtë ushtarakë.
Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së Trumpit për reduktimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, manovrat, sipas autoriteteve në Seul, nisën sipas planit. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut deklaroi se stërvitjet po zhvillohen pa ndryshime.
Stërvitja e përbashkët ushtarake “Ulchi Freedom Shield” zgjat 11 ditë dhe në të marrin pjesë rreth 18.000 ushtarë koreano-jugorë.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, fokusi i stërvitjes është mbrojtja nga dronët dhe sulmet kibernetike, si dhe kundërveprimi ndaj ndërprerjes ose bllokimit të sinjalit GPS. Qëllimi është përgatitja e forcave të armatosura përballë kapaciteteve ushtarake gjithnjë e më të avancuara të Koresë së Veriut.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo