Tre persona kanë humbur jetën dhe së paku 21 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një bombe të punuar vetë, të cilën e barte një grua në afërsi të një restoranti në pjesën qendrore të Moskës.
Policia njoftoi se shpërthimi ka ndodhur mbrëmë pak para orës 20:00, në afërsi të një restoranti italian të vendosur në një nga shtatë ndërtesat e njohura të erës staliniene në Sheshin Kudrinskaya.
Sipas Komitetit Rus Kundër Terrorizmit, e transmetuar nga agjencia shtetërore RIA, një grua e paidentifikuar është përpjekur të hyjë në restorantin “Balzi Rossi”, por është ndaluar nga një punonjës i sigurimit. Në shpërthimin që ka pasuar, jetën e kanë humbur gruaja, punonjësi i sigurimit dhe një mysafir i restorantit.
Gazeta “Kommersant”, duke u thirrur në burimet e veta, njoftoi se bomba kishte për qëllim të vriste dhe të gjymtonte mysafirë në tarracën e verës të restorantit. Sipas njohurive të tyre, pajisja shpërthyese me gjasa është aktivizuar nga largësia nga një person tjetër, me ç’rast gruaja që e barte mund të mos e kishte ditur se po barte bombë.
Në ueb-faqen zyrtare të restorantit është e shënuar se objekti të shtunën ka qenë i mbyllur për publikun për shkak të një ngjarjeje private.