Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë pas një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në magjistralen Gostivar–Kërçovë.
Sipas informacioneve të policisë, rreth orës 17:10 në Stacionin Policor të Gostivarit është raportuar se në rrugën magjistrale Gostivar–Kërçovë, në afërsi të një objekti hotelierik, janë përplasur dy automjete.
Në aksident janë përfshirë një automjet “Peugeot” me targa të Gostivarit, i drejtuar nga N.S. (34) nga Gostivari, dhe një “Opel Astra” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte Gj.P. (63) nga Shkupi.
Zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi, ka bërë të ditur se mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen e 63-vjeçarit në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, drejtuesi 34-vjeçar i automjetit “Peugeot” ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Urgjente në Gostivar.
Në vendin e aksidentit këqyrjen po e kryen një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, në bashkëpunim me ekipin e policisë së Gostivarit.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit pritet të sqarohen pas përfundimit të hetimeve.