Një nënë e katër fëmijëve në Indonezi ka humbur jetën në një mënyrë tragjike, pasi dyshohet se u sulmua dhe u gëlltit e tëra nga një piton gjigant.
50-vjeçarja, e identifikuar si Farida, po ndiqte rrugën e saj të zakonshme nëpër një zonë pyjore në Kaumpang, në Sulaëesin Perëndimor, për të shitur ushqime në një treg pranë shtëpisë së saj, kur humbi kontaktin me familjen.
Sipas raportimeve, një piton rrjetor, i cili mund të arrijë mbi gjashtë metra gjatësi, e sulmoi duke e kafshuar në këmbë dhe më pas e mbyti.
Bashkëshorti i saj, Noni, u shqetësua kur ajo nuk u kthye në shtëpi. Pas kërkimeve së bashku me banorët dhe autoritetet, një ditë më vonë u gjet një piton i madh në një zonë të pyllëzuar. Barku i fryrë i gjarprit ngriti dyshimet se Farida mund të ndodhej brenda tij, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.
Banorët e hapën gjarprin dhe, për fat të keq, gjetën trupin e saj të pajetë brenda.
Bashkëshorti i viktimës shprehu dhimbjen për humbjen e saj, duke thënë se ndihej fajtor që e kishte lejuar të shkonte vetëm atë ditë.
Farida u varros pas një ceremonie mortore në distriktin Pitu Riaëa të provincës Sulaëesi.