Revista prestigjioze TIME ka publikuar listën “TIME100 AI 2026”, duke përfshirë 100 personat që kanë ndikimin më të madh në zhvillimin dhe drejtimin e Inteligjencës Artificiale në botë. Lista përfshin drejtues të kompanive të mëdha të teknologjisë, studiues, sipërmarrës, politikëbërës dhe figura nga industria kreative, në një kohë kur ndikimi ekonomik dhe social i AI po shkakton gjithnjë e më shumë debate.
Në kopertinën globale të këtij viti është edhe Mira Murati, ish-drejtuese e teknologjisë në OpenAI dhe një nga figurat më të njohura shqiptare në industrinë e AI. Ajo shfaqet në mesin e emrave më të fuqishëm të teknologjisë, përkrah Sam Altman, Elon Musk, Dario Amodei, Jeff Bezos, Larry Ellison, Ilya Sutskever, Fei-Fei Li, Arvind Krishna dhe Eddie Wu.
TIME i ka ndarë 100 emrat në katër kategori: Liderë, Inovatorë, Formësues dhe Mendimtarë. Në mesin e liderëve janë drejtues të OpenAI, përfshirë Sam Altman, Mark Chen dhe Greg Brockman, si dhe Elon Musk, drejtuesit e Anthropic, Dario dhe Daniela Amodei, drejtuesi i IBM-së, Arvind Krishna, dhe figura të tjera të rëndësishme të industrisë.