Hungaria po përballet me një krizë të paprecedentë energjetike, pasi për herë të parë në historinë 44-vjeçare, centrali i vetëm bërthamor i vendit, ai i Paksit, është ndalur plotësisht për shkak të rënies rekord të nivelit të lumit Danub.
Dy reaktorët aktivë janë fikur pasi mungesa e ujit ka prekur sistemin e ftohjes së Impiantit. Paks, rreth 120 kilometra në jug të Budapestit, siguron rreth 40% të energjisë elektrike të Hungarisë dhe ndalimi i tij ka krijuar presion të madh mbi furnizimin me energji në nivel kombëtar. Qeveria ka rritur importet e energjisë dhe u ka kërkuar kompanive të mëdha industriale të ulin konsumin.
“Po përballemi me pesë ditët më kritike përpara nesh. Centrali i Paksit nuk do të prodhojë energji, ndërsa ditët më të nxehta me temperatura deri në 40 gradë Celsius janë ende përpara. Rrjeti elektrik, shërbimet publike dhe të gjithë ne do të përballemi me një presion të jashtëzakonshëm”, tha Magyar.
Për të kursyer energji, Budapesti ka fikur ndriçimet dekorative të ndërtesave shtetërore, ka kufizuar transportin hekurudhor të mallrave dhe ka ulur ritmin e funksionimit të metrosë dhe tramvajeve.
“Trashëguam një sistem të brishtë, të kushtueshëm dhe të cenueshëm. Tani duhet ta operojmë, ta mbrojmë dhe ta rindërtojmë njëkohësisht”, tha Magyar. Në Serbi, qindra varka dhe dhjetëra anije mallrash kanë mbetur të bllokuara pranë Novi Sadit, pasi niveli i lumit është tërhequr dhjetëra metra nga bregu i zakonshëm. Rruga ujore që lidh disa vende evropiane është bërë gjithnjë e më pak e besueshme për transportin e drithërave, naftës dhe mallrave të tjera.
Në hidrocentralin më të madh të Serbisë, Djerdap 1, prodhimi i energjisë ka rënë në vetëm 20% të kapacitetit, ndërsa mungesa e ujit ka detyruar edhe termocentralet me qymyr të ulin prodhimin.
Problemet janë shfaqur edhe në Rumani, ku një reaktor bërthamor është ndalur për shkak të pamundësisë për ftohje, ndërsa i dyti rrezikon të përballet me të njëjtin problem. Danubi, i cili përshkon 10 vende, ka zbritur në nivele rekord, duke zbuluar brigje të thata, anije të mbytura të Luftës së Dytë Botërore dhe madje edhe mbetje të një mamuthi të lashtë të epokës së akullnajave në Bullgari.
Thatësira po shndërrohet në një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë energjetike dhe ekonomike të rajonit, ndërkohë që qeveritë po marrin masa për t’u përballur me to.