Të shtëna me armë në Michigan, vriten pesë persona





Të paktën 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e një serie të shtënash me armë zjarri në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasditen e të premtes, në një dinamikë dhe motive që po hetohen nga autoritetet.

Autori i dyshuar i vrasjeve, Chad Hickman, u raportua nga policia se u gjet i vdekur në automjetin e tij pasi kreu vetëvrasje.

Raportimet e para për të shtëna nisën mesditën e të premtes, kur policia u njoftua për një sulm me armë në një banesë. Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët gjetën 3 persona të pajetë dhe një tjetër të plagosur në gjendje kritike.

I plagosuri u dërgua në spital, ndërsa autori i krimit ishte larguar. Gjatë operacionit për gjetjen e tij, policia zbuloi një viktimë të katërt në një banesë tjetër. Pak më vonë, automjeti i 39-vjeçarit u gjet në një zonë të pyllëzuar pranë një liqeni. Brenda tij u gjetën Hickman dhe një tjetër person, të dy të vdekur.

Sipas të dhënave të gjykatës, Hickman ishte në proces divorci. Ai kishte precedentë penalë dhe në vitin 2024 ishte dënuar me më shumë se një vit burg, pasi ishte deklaruar fajtor për dy kundërvajtje.

Në të kaluarën, ai ishte akuzuar gjithashtu për kontribut në sulmin ndaj një të mituri dhe abuzim me fëmijë, për një incident të vitit 2010. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivin e vrasjeve.

Autoritetet amerikane nuk kanë zbuluar lidhjen e autorit me personat e vrarë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo