Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe rreth 130 të tjerë janë plagosur nga një sulm rus me dronë ndaj një qendre tregtare në Kryvyi Rih të Ukrainës qendrore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi sulmin si “frikacak” dhe u zotua se Ukraina do të përgjigjet.
Sipas tij, dronët goditën në dy valë, ndërsa sulmi i dytë ndodhi rreth gjysmë ore pas të parit dhe kishte në shënjestër ekipet e emergjencës që kishin mbërritur në vendngjarje.
“Ukraina padyshim do të përgjigjet”, shkroi Zelensky në Telegram.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë momentin kur një dron godet qendrën tregtare, ndërsa flakët dhe tymi përfshijnë ndërtesën.
Kreu i Këshillit të Mbrojtjes së qytetit, Oleksandr Vilkul, bëri të ditur se disa persona rezultojnë ende të zhdukur dhe se bilanci i viktimave mund të rritet.
Nga rreth 130 të plagosurit, të paktën 29 janë në gjendje të rëndë. Në mesin e tyre është edhe një vajzë 14-vjeçare me dëmtim traumatik në tru, si dhe katër fëmijë të tjerë.
Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në rrënojat e qendrës tregtare në Kryvyi Rih, qytetin e lindjes së presidentit Zelensky.