Ish-drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë, Shpendi Ameti, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të bëra nga LSDM, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara. Në një reagim publik, Ameti thekson se nuk mban asnjë përgjegjësi për zhvillimet që kanë ndodhur pas largimit të tij nga detyra informon Tetovasot.
Sipas tij, ai është shkarkuar nga posti i drejtorit të QSHP-Tetovë më 19 janar 2026 dhe që nga ajo datë nuk ka ushtruar asnjë funksion drejtues në institucion.
“Më 19 janar 2026 jam shkarkuar nga detyra e drejtorit të QSHP-Tetovë dhe që nga ajo datë nuk kam pasur më asnjë përgjegjësi apo kompetencë drejtuese në këtë institucion. Prandaj, është e pabazë të më ngarkohet përgjegjësi për ngjarje apo zhvillime të ndodhura pas kësaj date,” deklaron Ameti.
Duke iu referuar pretendimeve për problemet me ujin në Gostivar dhe pasojat shëndetësore, ai thekson se përgjegjësitë duhet të përcaktohen vetëm nga institucionet kompetente.
“Çdo përgjegjësi duhet të përcaktohet nga organet kompetente, mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave përkatëse. Nuk mund të më atribuohet mua përgjegjësi për ngjarje që kanë ndodhur pasi nuk kam qenë më në detyrë,” thekson ai.
Në fund të reagimit, Ameti i kërkon LSDM-së të tërheqë akuzat dhe të kërkojë falje publike.
“I kërkoj LSDM-së që brenda 24 orëve të kërkojë falje publike dhe t’i tërheqë akuzat e bëra ndaj meje. Në të kundërtën, do të ndërmarr të gjitha hapat ligjorë në dispozicion për mbrojtjen e reputacionit, dinjitetit dhe të drejtave të mia,” përfundon reagimi i Shpendi Ametit.
LSDM deri më tani nuk ka reaguar ndaj këtij demanti raporton Tetovasot.
REAGIM / DEMANT I hedh poshtë në mënyrë të prerë akuzat e pavërteta të LSDM-së ndaj meje. Më 19 janar 2026 jam shkarkuar nga detyra e drejtorit të QSHP-Tetovë dhe që nga ajo datë nuk kam pasur më asnjë përgjegjësi apo kompetencë drejtuese në këtë institucion. Prandaj, është e pabazë të më ngarkohet përgjegjësi për ngjarje apo zhvillime të ndodhura pas datës 19 janar 2026. Sa i përket pretendimeve lidhur me problemet me ujin në Gostivar dhe pasojat shëndetësore, çdo përgjegjësi duhet të përcaktohet nga organet kompetente, mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave përkatëse. Nuk mund të më atribuohet mua përgjegjësi për ngjarje që kanë ndodhur pasi nuk kam qenë më në detyrë. I kërkoj LSDM-së që brenda 24 orëve të kërkojë falje publike dhe t’i tërheqë akuzat e bëra ndaj meje. Në të kundërtën, do të ndërmarr të gjitha hapat ligjorë në dispozicion për mbrojtjen e reputacionit, dinjitetit dhe të drejtave të mia. Shpendi Ameti