Shkëndija U17 mposht kampionin e Kosovës, Taxhedin Kasami: “Ky ekip ka karakter dhe një të ardhme të madhe”

Shkëndija U17 vazhdon të dërgojë sinjale të qarta se është një nga skuadrat më premtuese të futbollit të të rinjve në rajon. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2:1 ndaj kampionit të Kosovës, 2 Korrikut, në një ndeshje miqësore me ritëm të lartë, cilësi dhe rivalitet të denjë për dy skuadra kampione informon Tetovasot.

Në stadium u zhvillua një duel i bukur futbollistik, ku të dy ekipet treguan organizim dhe futboll modern, ndërsa në fund ishin talentet e Shkëndijës ata që festuan falë golave të Orges Imerit dhe Ajet Rexhepit.

Përtej rezultatit, ajo që la përshtypjen më të madhe ishte paraqitja kolektive e skuadrës tetovare, e cila dominoi në shumë momente të takimit dhe dëshmoi se puna e përditshme në akademi po jep frytet e saj.

Trajneri Taxhedin Kasami – Taki vazhdon të ndërtojë një ekip me identitet të qartë loje, duke u dhënë futbollistëve të rinj besim, disiplinë taktike dhe mentalitet fitues. Nën drejtimin e tij, Shkëndija U17 nuk po fiton vetëm ndeshje, por po formon një brez futbollistësh që premtojnë shumë për të ardhmen e klubit.

“Jam krenar për angazhimin dhe karakterin që treguan djemtë. Përballë kishim kampionin e Kosovës, një skuadër shumë cilësore, por futbollistët tanë zbatuan gjithçka që kishim përgatitur. Kjo fitore është shpërblim për punën e përditshme dhe jo fundi i rrugës. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim,” u shpreh trajneri Taxhedin Kasami pas ndeshjes.

Edhe nga kampi kuqezi vlerësohet se sfida të tilla janë testi më i mirë për zhvillimin e lojtarëve të rinj.

“Kur luan me skuadra kampione, fiton përvojë dhe rritesh si futbollist. Këta djem po tregojnë se kanë cilësi dhe se e meritojnë fanellën e Shkëndijës. Akademia jonë vazhdon të prodhojë talente dhe kjo është krenaria më e madhe,” theksohet nga stafi teknik.

Përballja mes dy kampionëve u shndërrua në një reklamë të bukur për futbollin e të rinjve, duke dëshmuar se e ardhmja e këtij sporti ndërtohet pikërisht në ndeshje të këtij niveli.

Me këtë fitore, Shkëndija U17 konfirmon edhe një herë se është në rrugën e duhur, ndërsa puna profesionale e trajnerit Taxhedin Kasami – Taki po shndërrohet në rezultate konkrete dhe në zhvillimin e një gjenerate që premton shumë për të ardhmen e klubit kuqezi.TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo