Shkëndija U17 ka dhënë sinjale të qarta se po ndërton një skuadër konkurruese për sezonin e ri, duke mposhtur bindshëm Teteksin në ndeshjen e parë miqësore të fazës përgatitore informon Tetovasot.
Nën drejtimin e trajnerit Taxhedin Kasami – Taki, kuqezinjtë zhvilluan një paraqitje mbresëlënëse, duke dominuar gjatë gjithë takimit dhe duke e mbyllur ndeshjen me një “rebesh” golash. Përveç rezultatit, ajo që ra në sy ishte loja e organizuar, ritmi i lartë, qarkullimi i shpejtë i topit dhe dëshira e futbollistëve për të zbatuar idetë e stafit teknik.
Edhe pse ishte vetëm miqësorja e parë, Shkëndija tregoi karakter, disiplinë taktike dhe cilësi, ndërsa të gjithë futbollistët patën minuta në fushë, duke i dhënë trajnerit mundësinë të testojë gjendjen e ekipit në prag të sfidave që e presin në Superligën e kësaj grupmoshe.
Pas ndeshjes, trajneri Taxhedin Kasami – Taki u shpreh i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, por theksoi se skuadra ka ende shumë punë përpara.
“Ky ishte vetëm testi ynë i parë. Më shumë se rezultati, më gëzon mënyra se si djemtë e interpretuan lojën dhe angazhimi që treguan gjatë gjithë ndeshjes. Jemi në një fazë intensive përgatitore dhe synimi ynë është që dita-ditës të rritemi si ekip. Kemi një grup futbollistësh me potencial dhe besoj se me punë, disiplinë dhe përkushtim do të jemi gati për sfidat e Superligës. Nuk do të vetëkënaqemi nga kjo fitore, sepse rruga është ende e gjatë”, deklaroi Kasami.
Shkëndija U17 do të vazhdojë me ndeshje të tjera kontrolluese gjatë javëve në vijim, me synimin për të arritur formën optimale para nisjes së kampionatit, ku kuqezinjtë synojnë të jenë ndër skuadrat pretendente.Tetovasot