Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kthyer rreth 100 miliardë dollarë tarifa doganore, pasi Gjykata Supreme rrëzoi më herët këtë vit përdorimin e kompetencave emergjente për vendosjen e tyre.
Sipas të dhënave të paraqitura nga autoritetet doganore amerikane në Gjykatën e Tregtisë Ndërkombëtare, shuma e rimbursuar përfaqëson rreth 60% të 165 miliardë dollarëve të mbledhur nga tarifat e ashtuquajtura “Dita e Çlirimit”.
Rimbursimet nisën pasi Gjykata Supreme ndaloi përdorimin e ligjit për kompetencat ekonomike emergjente si bazë për vendosjen e tarifave të larta ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara, duke kufizuar ndjeshëm kompetencat ekzekutive të presidentit në këtë fushë.
Edhe pse pas vendimit zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar se procesi mund të zgjaste me vite për shkak të betejave gjyqësore, rimbursimet janë kryer shumë më shpejt nga sa pritej.
Në muajin shkurt, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, kishte deklaruar: “Kjo mund të zgjasë me vite në gjykata përpara se të bëhen pagesat. Dhe nëse bëhen, do të përbëjnë thjesht ndihmë për korporatat.”
Megjithatë, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-ve(CBP) kanë pranuar tashmë kërkesa për rimbursim në vlerën e më shumë se 128 miliardë dollarëve, duke sinjalizuar se pagesa të tjera do të pasojnë.
Pavarësisht rimbursimeve, administrata Trump po përpiqet të rindërtojë politikën e saj tarifore. Javën e kaluar, ajo vendosi tarifa të reja prej 10 deri në 12.5% ndaj më shumë se 60 ekonomive, duke u mbështetur në një bazë tjetër ligjore.
Edhe këto tarifa janë sfiduar tashmë në gjykatë, me të paktën tre padi të depozituara kundër tyre.