Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, realizoi sot një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në vend, Fatih Ulusoy, ku u konfirmua përcaktimi i përbashkët për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e gjyqësorit dhe për të mbështetur proceset reformuese.
U bisedua për reformat në gjyqësor, për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, si dhe për realizimin e vizitave të reja studimore, trajnimeve të specializuara dhe aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet institucioneve gjyqësore të të dyja vendeve.
“Partneriteti i fortë ndërkombëtar është një nga parakushtet kyçe për reforma të suksesshme dhe të qëndrueshme në gjyqësor. Turqia është partneri ynë i rëndësishëm, ndërsa shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe praktikave të mira, do të kontribuojë për një sistem gjyqësor më efikas, më transparent dhe më modern”, theksoi Ministri Shasivari.
Në këtë takim u potencua bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e njëkohësisht u shpreh gatishmëria e ndërsjellët, për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, duke organizuar konferenca ndërkombëtare dhe dypalëshe, vizita studimore dhe programe trajnimi për gjyqtarë, prokurorë publikë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve gjyqësore.
Në veçanti u potencua si mjaft i rëndësishëm Programi për shkëmbimin e përvojave në fushën e krimit kibernetik, i zbatuar në kuadër të Projektit të Krimit Kibernetik të Këshillit të Evropës, kur Ministria e Drejtësisë si nikoqire priti një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Turqisë.
Në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit të mirë ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ambasadori i Turqisë, në emër të Ministrit të Drejtësisë të Republikës së Turqisë, Akin Gurlek, Ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivarit, personalisht i dorëzoi Ftesë për pjesëmarrje në samitin ndërkombëtar “Ardhmëria e Drejtësisë” që do të mbahet më 8 dhe 9 tetor në Stamboll.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare do të marrin pjesë ministrat e drejtësisë nga disa vende, funksionarë të lartë shtetëror, ekspertë, profesorë dhe përfaqësues të sektorit të gjyqësorit, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ideve për avancimin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Ftesa është një konfirmim për marrëdhëniet miqësore dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe përkushtimit për përforcimin e bashkëpunimit institucional.
Ministri Shasivari dhe Ambasadori Ulusoy ranë dakord se është i domosdoshëm intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, me qëllim të ndërtimit të një sistemi gjyqësor modern, efikas dhe të pavarur, përmes projekteve specifike, lidhjeve institucionale dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të përvojave profesionale.
