Polemikat rreth gjendjes së fushës në “Parc des Princes” kanë ndezur një përplasje të fortë mes Stade Rennais dhe drejtuesve të futbollit francez, pasi është vendosur që edhe ndeshja e kthimit ndaj Paris Saint-Germain të luhet në Paris.
Gjithçka nisi në javën e parë të Ligue 1, kur përballja mes PSG-së dhe Rennes u zhvendos nga “Parc des Princes” për shkak se fusha e stadiumit të kryeqytetit u konsiderua e papërshtatshme për lojë pas valës së të nxehtit.
Rennes pranoi që ndeshja të zhvillohej në stadiumin e saj dhe arriti ta organizonte takimin me kampionët e Evropës brenda vetëm katër ditësh. Sfida përfundoi me rezultat 2-2.
Megjithatë, klubi kishte vendosur një kusht të qartë: ndeshja e kthimit nuk duhej të ndryshonte vendndodhje.
Rennes: Problemi i fushës ishte përgjegjësi e PSG-së
Drejtuesit e Rennes argumentuan se vala e të nxehtit kishte prekur gjithë Francën dhe se gjendja e dobët e fushës së “Parc des Princes” nuk mund të justifikohej vetëm me kushtet atmosferike.
Sipas tyre, situata ishte rezultat i neglizhencës në mirëmbajtjen e tapetit të gjelbër.
Për këtë arsye, Rennes kishte bërë të qartë se nuk do të pranonte zhvendosjen e ndeshjes së javës së 23-të, e planifikuar për marsin e vitit 2027.
Megjithatë, Komisioni i Garave i Ligës Profesioniste Franceze mori një vendim tjetër.
PSG gjobitet me 150 mijë euro, por fiton ndeshjen e kthimit në shtëpi
Në vendimin zyrtar, PSG u dënua me gjobë prej 150 mijë eurosh për mosplotësimin e detyrimeve që lidhen me përgatitjen e fushës dhe sigurimin e një stadiumi alternativ.
Në të njëjtën kohë, komisioni vendosi që ndeshja e javës së 23-të mes Rennes dhe PSG-së të zhvendoset në “Parc des Princes”.
Në njoftim thuhej:
“Sa i përket ndeshjes së javës së parë të kampionatit francez mes Paris Saint-Germain dhe Stade Rennais, vendndodhja e së cilës u ndryshua më 19 gusht, Komisioni i Garave ka vendosur një gjobë financiare prej 150 mijë eurosh ndaj Paris Saint-Germain, në përputhje me nenin 501.4 të rregullores së garave.”
Ndërsa për ndeshjen e kthimit, vendimi ishte po aq i qartë:
“Takimi i javës së 23-të mes Stade Rennais dhe Paris Saint-Germain do të zhvillohet në stadiumin ‘Parc des Princes’.”
Frank Haise reagon me ironi
Vendimi shkaktoi zemërim të madh brenda Rennes.
Trajneri Frank Haise reagoi shkurt dhe me ironi gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes ndaj Le Mans.
“Ndoshta edhe në mars vendi do të përballet me një valë të nxehti. Për pjesën tjetër, do ta lë klubin të përgjigjet”, deklaroi ai.
Rennes paralajmëron apel
Drejtuesit e klubit nuk humbën kohë dhe reaguan me një komunikatë zyrtare, duke bërë të ditur se po shqyrtojnë mundësinë e apelimit të vendimit.
“Stade Rennais ka marrë dijeni për vendimin e Komisionit të Garave për zhvendosjen e ndeshjes Stade Rennais–Paris Saint-Germain, të planifikuar në javën e 23-të të kampionatit francez, në mënyrë që ajo të zhvillohet në ‘Parc des Princes’”, thuhet në komunikatë.
Klubi shtoi se është në pritje të vendimit të plotë dhe arsyetimit zyrtar, por ndërkohë po shqyrton një ankesë pranë Komisionit të Pajtimit të Komitetit Olimpik dhe Sportiv Francez.
“Stade Rennais po studion mundësinë e paraqitjes së një ankese për të mbrojtur të drejtat e veta”, përfundon reagimi.
Kështu, një problem që fillimisht lidhej vetëm me gjendjen e fushës është shndërruar në një betejë institucionale mes Rennes, PSG-së dhe drejtuesve të futbollit francez, me klubin nga Bretanja që nuk ka ndërmend ta pranojë vendimin pa luftë.