Ambasada Britanike në Kosovë ka reaguar lidhur me zhvillimet në vend pas moskonstituimit të Kuvendit.
Kjo ambasadë ka bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim politik për zgjidhjen e kësaj situate.
Në një reagim, Ambasada ka theksuar rëndësinë e parlamentit në funksionimin e një demokracie, duke vlerësuar se është institucioni që mban qeverinë përgjegjëse.
“Parlamenti është zemra e demokracisë. Ai e mban qeverinë përgjegjëse dhe mundëson legjislacionin që mund ta çojë shoqërinë dhe ekonominë përpara”, thuhet në reagim.
Sipas Ambasadës Britanike, Kosova ka qenë pa një parlament plotësisht funksional për shumë ditë gjatë dy viteve të fundit.
Ambasada ka theksuar se përgjegjësia për këtë situatë u takon politikanëve të Kosovës dhe jo sistemit institucional të vendit.
“Kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës, jo e sistemit të saj”, theksohet më tej, transmeton Klankosova.tv.
Në fund, Ambasada Britanike u ka bërë thirrje liderëve politikë që të veprojnë me urgjencë dhe të punojnë së bashku për tejkalimin e situatës përmes dialogut dhe negociatave paqësore.
“Ata tani duhet urgjentisht të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë situatë përmes dialogut dhe negociatave paqësore, për të mirën e popullit të mrekullueshëm të Kosovës dhe partneriteteve të saj ndërkombëtare”, thuhet më tej në reagim, transmeton Klankosova.tv.