Presidenti i Bayernit e kritikon FIFA-n dhe Gianni Infantinon, ka disa kërkesa

Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, ka reaguar me lehtësim pas tërheqjes së FIFA-s nga plani për të përfshirë investitorë privatë në garat e saj, ndërsa ka kritikuar ashpër mënyrën se si u menaxhua e gjithë çështja nga organi më i lartë i futbollit botëror.

“Është fat që ky spektakël i tmerrshëm përfundoi po aq shpejt sa nisi dhe që kjo ide e çmendur u hoq nga tavolina,” deklaroi Hainer të shtunën, pak para nisjes së Bayern Munichut për turneun në Azi, në Korenë e Jugut.

Gianni Infantino kishte propozuar, në mënyrë të njëanshme, shitjen e aksioneve në turnetë e organizuara nga FIFA te investitorë privatë.

Sipas raportimeve të mediave, ai u kishte vendosur federatave anëtare afat deri më 19 shtator për ta miratuar projektin. Megjithatë, në orët e para të së shtunës, presidenti i FIFA-s njoftoi se kishte hequr dorë nga plani.

Pavarësisht tërheqjes, kritikat ndaj Infantinos nuk janë ndalur.

Në deklaratat e tyre zyrtare, si UEFA ashtu edhe CONCACAF e kritikuan ashpër zviceranin dhe kërkuan sqarime të plota për mënyrën se si u zhvillua e gjithë kjo çështje.

Edhe mediat ndërkombëtare reaguan me ironi dhe kritika ndaj Infantinos pas tërheqjes së tij.

“Tani duhet të sigurohemi që një ide e tillë të mos rikthehet më kurrë në tavolinë,” tha Hainer.

72-vjeçari e cilësoi gjithashtu si “të pabesueshme” mungesën e transparencës gjatë gjithë procesit.

“Futbolli duhet të mbetet futboll,” u shpreh presidenti i Bayernit.

“Si organizata më e lartë e futbollit, FIFA ka detyrën të organizojë futbollin. Nëse investitorëve të jashtëm u jepet mundësia të kenë ndikim në vendimmarrje, gjithmonë ekziston rreziku që parimet themelore dhe strukturat bazë të futbollit të vihen në pikëpyetje dhe të bëhen gabime”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo