Pesë vjet, tre prokurore dhe dy qeveri e groposën rastin e zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë, ku vdiqën 14 persona

Procedura parahetimore jo efikase dhe fokusi i aktiviteteve prokuroriale vetëm te dëmet financiare ndaj buxhetit janë arsyet kryesore të prokurores Berzhecka Krsteva dhe shefit të saj Islam Abazi për mbylljen e këtij hetimi. Hetimi ishte drejtuar për vepër penale që në vitin 2023 u fshi nga Kodi Penal kur në pushtet ishte LSDM-ja. Ky rast prokurores Berzhecka Krsteva iu caktua nga Prokurori publik i shtetit Nenad Saveski. Në mënyrë të ngjashme dhe me një prokuror të ri kompetent të emëruar nga Saveski u hodh poshtë edhe rasti për blerjen e naftës në TEC Negotinë kundër të dyshuarit Ratko Kapushevski, shkruan IRL.

Pas pesë vitesh heshtjeje mbyllet rasti në të cilin ishin të përfshirë Filipçe dhe Angjushev
Pas pesë vitesh në procedurë parahetimore Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e mbylli dosjen “Spitali Modular” dhe nuk gjeti fajtorë për një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare. Asnjë nga zyrtarët shtetërorë përgjegjës dhe individët e përfshirë nga komuniteti i biznesit nuk do të mbahen përgjegjës për vdekjen e 14 viktimave në zjarrin në spitalin modular në Tetovë. Vendimi u njoftua nga prokurorja që e udhëheq çështjen, Berzhecka Krsteva, e shoqëruar nga shefi i saj nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi.

“Nuk ka veprime të tejkalimit, as të mospërmbushjes së detyrave zyrtare, e as nuk është dëmtuar buxheti“, tha në fillim të brifingut me gazetarët prokurorja kompetente Verica Berzhecka Krsteva.

Prokurorja shpjegoi se hetimi paraprak kishte qenë i orientuar vetëm drejt keqpërdorimeve të mundshme financiare dhe keqpërdorimeve të pozitës zyrtare gjatë furnizimit të 19 spitaleve modulare që u përdorën për hospitalizimin e pacientëve me COVID.

Ajo nuk ka gjetur asnjë paligjshmëri që nga fillimi i shpalljes së tenderëve për prokurimin e spitaleve modulare, e deri te mënyra e realizimit, vendosjes dhe dorëzimit në posedim të komunave.

“Prokuroria nuk vërtetoi fakte nga të cilat do të rrjedhonte se në procedurat e prokurimit ndonjë person zyrtar e ka shfrytëzuar apo tejkaluar pozitën ose autorizimin zyrtar, gjegjësisht nuk e ka kryer detyrën zyrtare, me qëllim që të sigurojë dobi të konsiderueshme pasurore ose të shkaktojë dëm të konsiderueshëm“, deklaroi prokurorja Berzhecka Krsteva.

Gjatë krizës së COVID qeveria e atëhershme e kryeministrit Zoran Zaev shpalli tender ndërkombëtar për prokurimin e spitaleve modulare. Ministrinë e Shëndetësisë e udhëhiqte Venko Filipçe, ndërsa kompania që u zgjodh në tender me ofertën më të favorshme ishte “Brako“ e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev.

Që të realizohet shpejt dhe me urgjencë procedura e tenderit qeveria e atëhershme, ministritë përkatëse dhe Kuvendi ndryshuan disa ligje për ndërtim, me çka u mundësua që të mos ekzistojnë kurrëfarë mekanizmash kontrollues për mënyrën e ndërtimit dhe sigurinë e objekteve ku trajtoheshin qindra pacientë me COVID.

Zjarri në spitalin modular të Tetovës ndodhi në Ditën e Pavarësisë, më 8 shtator, para pesë vitesh. Lënda u hap dy ditë më vonë. Prokurorja e parë që e udhëhoqi lëndën ishte Villma Ruskovska, ndërsa pas saj lënda i kaloi prokurores Elizabeta Josifovska, e cila hynte edhe në konflikt me gazetarët duke i akuzuar se po i maltretojnë biznesmenët. Prokurorja e fundit, Verica Berzhecka Krsteva, e trashëgoi lëndën para pak muajsh me vendim të Prokurorit publik shtetëror Nenad Saveski. Ajo e kumtoi vendimin se rasti është mbyllur meqë nuk ka prova.

Në brifing kishte më shumë pyetje nga gazetarët, të cilat u fokusuan në procedurën e gjatë prahetimore dhe në atë se si është e mundur të mos ekzistojë përgjegjësi sistemike për vdekjen e 14 pacientëve të trajtuar në objekte shëndetësore shtetërore.

Vendimin për lëndën e ka marrë në bazë të provave dhe deklaratave të dëshmitarëve që i ka dëgjuar paraardhësja e saj, Elizabeta Josifovska.

Disa herë potencoi se nuk ekziston asnjë dëm ndaj buxhetit të shtetit, si dhe se përfaqësues të Bankës Botërore, e cila i financoi spitalet modulare, kanë përcjellë lëvdata për mënyrën se si janë punuar dhe si kanë funksionuar.

Sa i përket shkaqeve të zjarrit ajo tha se ajo pjesë nuk është në kompetencë të prokurorisë së saj, por se rasti është udhëhequr dhe mbyllur në Tetovë.

Prokurorja nuk kishte informacion se ekziston një Raport i veçantë i porositur nga pasardhësi i ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, ministri Bekim Sali, i përgatitur një vit pas tragjedisë në Tetovë.

Në dokumentin “Revizion i procedurës së prokurimit publik për zëvendësimin e objekteve të përkohshme të veprimtarisë poliklinike-ambulantore“ shkruan se nëntë ditë pas zjarrit Ministria e Shëndetësisë dhe investitori kanë filluar dialog për plotësimin e kontratës bazë për “përmirësimin e kërkesave minimale teknike me qëllim rritjen e sigurisë së objekteve“ për objektet modulare të atëhershme që po ndërtoheshin sipas të njëjtit specifikim. Aneks-kontrata, në kundërshtim me Ligjin për Prokurime Publike, nuk ishte raportuar në Byronë për Prokurime Publike dhe ishte fshehur nga institucionet.

Para tri viteve Laboratori i Reporterëve Investigativ (IRL) e publikoi hulumtimin “Vrasje në Tetovë“ për zjarrin në spitalin modular. Reporterët dhe hulumtuesit e IRL-së për më shumë se 7 muaj punuan në Shkup e Tetovë, duke i mbledhur dhe analizuar të dhënat dhe dokumentet e siguruara për këtë rast.

Institucione të ndryshme kompetente e cilësuan rastin si fatkeqësi, ndërsa shkaqet u lokalizuan te shpërthimi i një kablloje vazhduese. Hulumtimi i zbuloi shkaqet e vërteta të zjarrit, të cilat çojnë përmes një labirinti gabimesh dhe lëshimesh të bëra që nga zyrtarë të zakonshëm e deri te figura të profilit të lartë nga sfera e politikës, biznesit dhe gjyqësorit.

Përmes dokumenteve dhe mesazheve elektronike të marra nga sinjalizuesit, si dhe përmes grumbullimit të dokumentacionit të tenderimit me anë të qasjes së lirë në informacion me karakter publik, gazetarët mblodhën prova që e lokalizuan me precizitet përgjegjësinë ligjore për zjarrin në institucionet kyçe, siç është Ministria e Shëndetësisë, por edhe te realizuesi i objektit në Tetovë.

Krim pa dënime
Lidhur me zjarrin në Tetovë janë shqiptuar vetëm dy dënime me burg: ish-drejtorët e Spitalit Klinik, Florim Besimi dhe Artan Etemi, u dënuan me nga një vit e gjashtë muaj burg efektiv për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

“Ky gjykim nuk u bë për të zbuluar pse ndodhi zjarri dhe kush është fajtor, por ishte një gjueti faji ndaj atyre pa pushtet dhe pa përgjegjësi“, deklaroi pas shqiptimit të aktgjykimit i dënuari Florim Besimi.

Kreu i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, në brifingun e fundit tha se nëse në të ardhmen gjenden prova të reja, ekziston mundësia që rasti të rihapet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo