Pas nëntë muajsh, ka përfunduar faza e dëshmive të propozuara nga Prokuroria në rastin “Puls” dhe ngadalë po qartësohet përgjegjësia për rastin. Gjatë kësaj periudhe janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe janë administruar prova materiale e verbale lidhur me rastin.
Një nga provat kryesore në procedurë është ekspertiza e objektit, e përgatitur nga shtatë ekspertë të Fakultetit të Ndërtimtarisë, të angazhuar me kërkesë të Prokurorisë.
Sipas ekspertizës, në pjesën që lidhet me përgjegjësinë e institucioneve, nuk është konstatuar përgjegjësi apo lëshim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. Ekspertët, sipas të dhënave të përfshira në materialin e ekspertizës, vlerësojnë se ministria nuk ka pasur kompetencë për kontrollin dhe inspektimin e objektit në fjalë.
Ekspertiza pritet të jetë një nga provat kyçe për vlerësimin e përgjegjësive në rastin “Puls”, ndërsa përmbajtja e saj tashmë është pjesë e materialeve të procedurës.
Me përfundimin e fazës së dëshmive të Prokurorisë, nga shtatori pritet të nisë faza e dëshmive të mbrojtjes. Në këtë fazë, pritet të paraqiten dëshmitë dhe argumentet e palëve mbrojtëse.
Vijimi i procesit pritet të nxjerrë në pah dhe qartësojë më tej përgjegjësitë individuale dhe institucionale në rastin që është nën hetim.
Përndryshe, pas zjarrit të 16 marsit 2025 në diskotekën “Puls” në Koçan, Prokuroria zhvilloi një hetim të gjerë mbi përgjegjësinë për tragjedinë. Aktakuza kryesore përfundoi në Gjykatën Themelore Penale në Shkup dhe përfshin 35 persona dhe 3 persona juridikë. Në mesin e të akuzuarve janë pronarë dhe persona përgjegjës të objektit, persona nga sigurimi, inspektorë, zyrtarë dhe ish-kryetarë të Komunës së Koçanit.
Lënda fillimisht ishte ngritur nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan, por më pas, me vendim të Prokurorit Publik të Republikës, u transferua në kompetencë të Prokurorisë së Shkupit. Aktakuza u miratua dhe përmes sistemit AKMIS iu caktua gjyqtares Diana Gruevska-Ilievska. Gjykimi nisi më 19 nëntor 2025, ndërsa këtë lëndë Prokuroria ka qenë e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh.
Hetimi ndaj policëve nuk është pjesë e të njëjtës lëndë kryesore. Fillimisht Prokuroria hetoi një numër të madh të zyrtarëve policorë. Më pas procedura u nda dhe u krijuan procedura të veçanta. Në shkurt 2026 u raportua se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishte ngritur tri aktakuza ndaj gjithsej 25 policëve, pas një hetimi që kishte përfshirë 27 zyrtarë policorë. Për shtatë policë të tjerë hetimi ishte ndërprerë për veprime që lidhen me periudhën 2012–2022. Kjo procedurë u përcaktua shprehimisht si e ndarë nga gjykimi kryesor për “Puls”. Më pas, një prej këtyre procedurave u konkretizua me gjykimin ndaj 13 zyrtarëve policorë, i cili nisi në vitin 2026.