Nesër, nga vendi ku lindi ideali i lirisë: Të bashkuar për një Republikë të drejtë, të barabartë dhe të suksesshme!
Në Meçkin Kamen, në vendin ku janë shkruar faqet më të rëndësishme të historisë sonë, nesër, si pjesë e delegacionit shtetëror të udhëhequr nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, do ta shënojmë 2 Gushtin – Ditën e Republikës.
Ilindeni nuk është vetëm simbol i luftës për liri, por edhe një mesazh i përhershëm se shteti ndërtohet mbi idealet e barazisë, drejtësisë dhe së ardhmes së përbashkët. Këto vlera edhe sot mbeten themeli i Republikës sonë dhe i obligimit tonë për të ndërtuar një shoqëri ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar.
Forca jonë ka qenë gjithmonë në diversitetin tonë. Republika e Maqedonisë është shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj, ndërsa zhvillimi i saj është rezultat i kontributit të të gjitha bashkësive.
Le të na kujtojnë fjalët e Manifestit të Krushevës një vlerë që nuk vjetrohet kurrë – unitetin.
“Ne, fqinjët tuaj të përhershëm, miqtë dhe të njohurit tuaj… pa dallim feje, kombësie, gjinie dhe bindjesh…”
Ky mesazh edhe sot flet për Maqedoninë si shtëpinë e përbashkët të të gjithë qytetarëve të saj.
Ta ruajmë këtë ide edhe sot – me respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet, sepse dallimet nuk na ndajnë, por e pasurojnë të ardhmen tonë të përbashkët.
Le të jetë fryma e Manifestit të Krushevës një kujtesë se liria, drejtësia dhe bashkëjetesa janë vlera që ndërtohen së bashku.
Si Ministër i Drejtësisë, besoj se patriotizmi i vërtetë dëshmohet përmes respektimit të sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe forcimit të besimit ndërmjet të gjitha bashkësive. Vetëm përmes respektit të ndërsjellë, dialogut dhe mundësive të barabarta mund të ndërtojmë një shtet që do të jetë i fortë, i qëndrueshëm dhe i suksesshëm për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
Gëzuar 2 Gushtin – Ditën e Republikës!
Rroftë uniteti, drejtësia dhe e ardhmja e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë!
Jeton Shasivari
Ministër i Drejtësisë