Mourinho: Nuk kaloj kohë shumë me familjen, atyre u pëlqen që nuk jam shpesh pranë tyre

Jose Mourinho, trajneri i Real Madridit, ka pranuar se nuk kalon shumë kohë me familjen e tij, por ka theksuar se gruaja dhe fëmijët e tij e shijojnë jetën më shumë kur ai nuk është pranë tyre.

Trajneri portugez është prej më shumë se 35 vitesh me bashkëshorten dhe dashurinë e tij të fëmijërisë, Matilde “Tami” Faria, me të cilën ka dy fëmijë: Matilden, 30 vjeç, dhe José Mário Junior, 26 vjeç.

Megjithatë, familja e tij rrallë e ka shoqëruar nëpër Evropë gjatë 25 viteve të tij në drejtim të Benficas, Portos, Chelseat, Manchester Unitedit, Romës, Interit dhe Real Madridit.

Gjatë pjesës më të madhe të kohës së tij në Manchester, ai jetoi i vetëm në hotelin “Lowry”.

Fëmijët e tij e kaluan pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtëpinë familjare në perëndim të Londrës, ndërsa Mourinho ishte vazhdimisht në udhëtime.

Mourinho, 63 vjeç, tha në një dokumentar të ri të “Netflix”: “Ndonjëherë mendon se duhet të jem aty, por nuk jam. Por nuk dua të mendoni se familja do të thotë diçka më pak e rëndësishme për mua. Ata janë në një vend që as nuk mund të krahasohet me futbollin”.

Ai shtoi: “Por, për të thënë të vërtetën, e di që ata e shijojnë jetën shumë më tepër pa mua. Kjo është e vërtetë. Kjo është realiteti. Nëse shkojnë në një restorant me mua, është ndryshe nga kur shkojnë pa mua”.

Tamit shpesh i jepet merita nga Mourinho për suksesin e tij si trajner.

Teksa fotografitë e familjes së tij shfaqeshin në ekran, ai tha: “Unë përpiqem t’i mbroj sa më shumë që mundem, por sigurisht që shumë herë dështoj. Nuk është e lehtë”.

Ai vazhdoi: “Tami është një nënë e mrekullueshme dhe ata e kuptojnë se ajo që jam në futboll është mënyra ime e jetesës. Ata duhet ta kuptojnë këtë. Ju po më shtyni të flas për veten, gjë që nuk dua ta bëj”.

Mourinho vijoi: “Mendoj se lumturinë, pakënaqësinë dhe problemet e tua, i lë te dera e qendrës stërvitore. Ndoshta kjo është një mënyrë e vjetër për t’i parë gjërat, por ky jam unë dhe, në fund, nuk dua të ndryshoj. Është tepër vonë”.

Të flasë për karrierën e tij i vjen shumë më lehtë, veçanërisht për punën si trajner te klube si Interi, Chelsea dhe Real Madridi, ku ka arritur sukses të madh.

Tashmë ai është rikthyer te Real Madridi për një aventurë të dytë si trajner.

Në serialin dokumentar, Mourinho bën shaka se është “i qetë” ndërsa ecën përgjatë bregdetit, duke mbajtur dy telefona me vete për të telefonuar dhe për t’i dërguar mesazhe stafit të tij rreth ndeshjeve dhe transferimeve.

Futbolli është gjithçka për të, siç shpjegoi edhe pas rikthimit te Real Madridi: “Futbolli është një punë që më konsumon. Ky jam unë. As kopshtari, as gatim, as pastrim, as golf, as sporte me raketë, asgjë”.

Ai gjithashtu nuk e ka problem të luajë rolin e “antagonistit” dhe nuk i shmanget polemikave. Mourinho këmbëngul se nuk pendohet për kritikat e tij ndaj arbitrit Anders Frisk, i cili më vonë mori kërcënime me vdekje dhe u tërhoq nga arbitrimi pas një ndeshjeje të diskutueshme të Ligës së Kampionëve mes Chelseat dhe Barcelonës në vitin 2005.

Mourinho komentoi: “Njerëzit thonë se fola shumë pas asaj ndeshjeje, por do të bëja të njëjtën gjë përsëri. Kjo është mënyra ime. Pra, nuk jam i mirë. Nuk jam i mirë. Kështu janë gjërat”.

I pyetur se si ndihej pasi pranonte se nuk ishte një person i mirë, ai shtoi: “E bëj nga krenaria dhe sepse mendon se po e ndihmon skuadrën tënde të arrijë rezultate”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo