Ministri Vellkovski nënshkroi kontratat për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale me nëntë komuna

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot nënshkroi kontratat për grantet, të ndara përmes Thirrjes së Parë Publike për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal, në kuadër të projektit të dytë të përmirësimit të shërbimeve sociale.

Gjatë nënshkrimit morën pjesë kryetarë komunash dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile – partnerë në realizimin e granteve, përmes të cilave në disa komuna në të gjithë vendin do të krijohen dhe do të avancohen shërbimet sociale, në përputhje me nevojat e popullsisë lokale.

Me grantet e ndara mbështetet zhvillimi i shërbimeve sociale të qasshme, cilësore dhe të qëndrueshme në komunitetin lokal, të përshtatura me nevojat e përdoruesve dhe të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së tyre të jetesës.

Në kuadër të granteve do të krijohen dhe zhvillohen shërbimet e mëposhtme:

Ndihmë dhe kujdes në shtëpi për personat e moshuar dhe të pafuqishëm në komunat Gazi Babë, Petrovec, Saraj dhe Vallandovë;
Qendra ditore për të moshuarit, me fokus në plakjen aktive dhe dinjitoze, në komunat Pllasnicë, Bogovinë dhe Jegunovcë;
Qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara, me qasje të individualizuar dhe mbështetje të përshtatshme, në komunat Prilep dhe Krivogashtan.

“Me nënshkrimin e këtyre kontratave hedhim hap konkret drejt përafrimit të shërbimeve sociale me qytetarët. Qëllimi ynë është që mbështetja të jetë e qasshme aty ku është më e nevojshme – në komunitetin lokal, në mjedisin ku jetojnë përfituesit. Njëkohësisht, e përforcojmë rolin e komunave dhe të organizatave të shoqërisë civile si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore sociale” – theksoi ministri Vellkovski.

Nënshkrimi i kontratave paraqet hap konkret në avancimin e sistemit të mbrojtjes sociale dhe në vazhdimin e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, përmes përforcimit të kapaciteteve dhe rolit të vetëqeverisjes lokale dhe sektorit civil.

Veçanërisht e rëndësishme është se mbështetja është e orientuar drejt shërbimeve që janë më pranë dhe më të qasshme për përdoruesit në komunitetet e tyre lokale, duke krijuar kushte për mbështetje në kohë, të vazhdueshme dhe të përshtatshme për personat e moshuar, personat me aftësi të kufizuara dhe për familjet që u nevojiten më së shumti këto shërbime.

Përmes projektit të dytë të përmirësimit të shërbimeve sociale, Ministria e Politikës Sociale, Demografsë dhe të Rinjve vazhdon t’i mbështesë komunitetet lokale në zhvillimin e shërbimeve sociale që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve dhe kontribuojnë në krijimin e sistemit më gjithëpërfshirës, më të qasshëm dhe të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale.

Ministri Vellkovski nënshkroi kontratat për grante për zhvillimin e shërbimeve sociale me nëntë komuna

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo