“Me para të ambasadave islamike në Beograd të ndërtohen xhami nëpër Kosovë”, brenda dokumentit “Top Sekret” në telefonin e Shehollit
Një dokument i cilësuar si “Top Sekret 2”, i gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli, është një nga provat e përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përmes së cilës pretendohet se synohej zgjerimi i ndikimit të radikalizimit islamik në Kosovë dhe rajon, si dhe destabilizimi i vendit, raporton Kallxo.com, transmeton Periskopi.
Sipas aktakuzës, më 5 gusht 2025, Sheholli ia kishte dërguar personit Viktor Makedonija dokumentin, i cili në prapavijë mbante shënimin “CONFIDENTIAL”. Prokuroria pretendon se dokumenti paraqet një plan politik dhe strategjik të fshehtë, ku përfshihen edhe figura me ndikim në sport, muzikë, media dhe politikë.
Në bazë të përmbajtjes së dokumentit, sipas Prokurorisë, plani synonte krijimin e një atmosfere në të cilën Kosova do të perceptohej si shtet i radikalizuar dhe ekstremist, duke dëmtuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe duke ndikuar në qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj saj.
Dokumenti, sipas aktakuzës, përshkruan një strategji afatgjatë që përfshin financimin dhe ndërtimin e xhamive, zgjerimin e shkollave fetare dhe angazhimin e rrjeteve të personave nga Kosova dhe rajoni. Në të pretendohet gjithashtu se do të synohej përfshirja e personave me ndikim në sport, media, muzikë dhe politikë, si dhe krijimi i ndikimit në komunitetet shqiptare jashtë Kosovës.
Një nga pretendimet më të rënda të përshkruara në dokument është krijimi i një atmosfere që do të nxiste largimin e të rinjve nga Kosova dhe, paralelisht, forcimin e identifikimit të një pjese të shoqërisë me fenë islame. Në dokument përdoret edhe një parashikim ekstrem se, pas 20 vjetësh, Kosova do të dukej “si Kandahar”.

Sipas Prokurorisë, qëllimi përfundimtar i këtij skenari do të ishte krijimi i një perceptimi ndërkombëtar se Kosova është një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar, çka sipas pretendimeve të aktakuzës, do të mund të ndikonte në ndryshimin e qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe në kthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.
Në aktakuzë thuhet se dokumenti është gjetur në telefonin e sekuestruar nga Sheholli. Raporti informues i Policisë së Kosovës, i datës 31 mars 2026, përmendet si Prova 17. Sipas këtij raporti, gjatë analizimit të 20 mijë e 914 fotografive dhe imazheve të ruajtura, është identifikuar edhe fotografia me mbishkrimin “Top sekret 2” dhe tekstin në gjuhën serbe.
Prokuroria pretendon se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë në ndërlidhje me provat e tjera të administruara, është relevante për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë së të pandehurit në raport me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.
Dokumenti i gjetur në telefonin e Fatmir Shehollit- Fotografi e ndarë nga aktakuza e Prokurorisë Speciale
Më poshtë është përkthyer edhe përmbajtja e fotografisë:
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive . Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen. Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmijë dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral Jankovic, Kaçanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptarë kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë për ne dhe të aktivizohen në Islam.
Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim në Sport, media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.
Në vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë. Me këtë do teë arrijmë që t`i ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shtetit kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe më të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën.
Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë.
Kur kjo të arrihet Serbia do t`i ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptarëve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.
Çështje e radikalizmit nuk përmendet vetëm të aktakuzën për Shehollin.
Kallxo.com më 14.08.2026, publikoi artikullin për dy të arrestuarit e tjerë për veprimtari të dyshimta të spiunazhit, Hysri Selimin dhe Fehim Sali.
Brenda një viti, Prokuroria Speciale ka arritur t’i arrestojë dy persona për veprimtari të spiunazhit tek BIA serbe.
Hysri Selimi ishte arrestuar më 06.05.2025 kurse më 13.08.2026 u arrestua edhe Fehim Sali.
Sali dyshohet se kishte mbledhur informacione për personat që i takojnë sektit ‘Vehabi’ dhe kishte dhënë rekomandime për rekrutim të këtyre personave te BIA serbe, kurse Selimi akuzohej se kishte mbledhur numrin e personave që kanë marrë pjesë në ISIS dhe të kthyerve në Kosovë nga luftërat në Siri.
Kujtojmë që Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vite burgim nga shkalla e parë për veprën penale të spiunazhit.