Liverpooli e kompleton transferimin e Ronald Araujo nga Barcelona

Liverpooli ka kompletuar transferimin e qendërmbrojtësit Ronald Araujo nga Barcelona.

Liverpooli konfirmoi të hënën në mbrëmje se reprezentuesi i Uruguait do t’i bashkohet “The Reds” në huazim për sezonin e ardhshëm.

“Mezi po pres të filloj. Jam shumë, shumë i lumtur. Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij klubi tradicional”, tha Araujo, sipas deklaratës zyrtare të Liverpoolit.

“Mendoj se ishte hapi ideal për mua në këtë fazë të karrierës. Besoj se ishte një hap që absolutisht duhej ta bëja. Sapo dëgjova për interesimin e Liverpoolit, gjithçka ndodhi shumë, shumë shpejt”, shtoi ai.

Prej disa kohësh ishte bërë gjithnjë e më e qartë se 27-vjeçari nuk kishte më një të ardhme te Barcelona. Pau Cubarsi gradualisht e kishte zhvendosur atë nga formacioni titullar gjatë sezonit të kaluar.

Në të gjitha kompeticionet, Araujo zhvilloi gjithsesi 38 paraqitje, por shumica e tyre erdhën nga stoli.

Pas humbjes 1-0 në miqësoren ndaj Udineses, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, nuk i kurseu fjalët dhe bëri të qarta arsyet e largimit të uruguaianit.

“Ai është një djalë i mrekullueshëm dhe një lojtar fantastik. Por stili i tij i lojës nuk është ai që preferoj unë”, deklaroi trajneri gjerman, duke pranuar hapur se së fundmi kishte gjetur shumë pak hapësirë për mbrojtësin fizik në sistemin e tij taktik.

Kontrata e Araujos me Barcelonën është e vlefshme deri më 30 qershor 2031. Megjithatë, si pjesë e marrëveshjes së huazimit, Liverpooli raportohet se ka siguruar edhe një opsion blerjeje prej 55 milionë eurosh, i cili mund të aktivizohet verën e ardhshme.

Te Liverpooli, Araujo pritet të marrë rolin e Ibrahima Konates, i cili është larguar për t’iu bashkuar Real Madridit.

Përkrah kapitenit Virgil van Dijk, trajneri i Liverpoolit, Andoni Iraola, ka alternativa të kufizuara në qendër të mbrojtjes, me Joe Gomezin aktualisht të dëmtuar, ndërsa në skuadër janë edhe dy të rinjtë Jeremy Jacquet dhe Giovanni Leoni.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo