Kuvendi Studentor i UT-së kërkon që provimet shtetërore të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe





Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës kërkon nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së
Maqedonisë së Veriut që provimi i jurisprudencës, provimi për për noter, provimi për përmbarues
dhe provimet e tjera shtetërore profesionale të organizohen edhe në gjuhën shqipe.
Në kërkesën drejtuar Ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari, Kuvendi Studentor thekson se kjo
çështje  i është adresuar disa herë gjatë dy viteve të fundit Ministrisë së Drejtësisë dhe
institucioneve të tjera kompetente, por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje konkrete.
Studentët kërkojnë që provimet, materialet për përgatitje dhe të gjitha pjesët përbërëse të tyre të jenë
në dispozicion edhe në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se organizimi i tyre vetëm në gjuhën
maqedonase krijon pabarazi dhe vështirësi shtesë për studentët shqiptarë, të cilët studimet i ndjekin
në gjuhën shqipe.
Sipas kryetarit të Kuvendit Studentor, Gent Kurtishi, kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me respektimin
e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit. Në
këtë drejtim, studentët kërkojnë zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke iu referuar
veçanërisht nenit 23, paragrafëve 4 dhe 5.
“Nuk është e pranueshme që studentët që studiojnë në gjuhën shqipe të përballen me kushte të
ndryshme gjatë përfundimit të procesit të tyre profesional. Gjuha e studimit duhet të jetë edhe gjuha
në të cilën studenti ka mundësi të japë provimet profesionale shtetërore.” -theksohet në kërkesën e
Kuvendit Studentor, të dorëzuar sot në Ministrinë e Drejtësisë.
Kuvendi Studentor vlerëson se mundësia për zhvillimin e këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe
do të garantonte kushte të barabarta për të gjithë kandidatët, duke lehtësuar rrugëtimin e tyre drejt
ushtrimit të profesioneve juridike dhe duke krijuar mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim
profesional.
Studentët konsiderojnë se ekzistojnë si bazat ligjore, ashtu edhe mundësitë praktike për organizimin
e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si
në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.
Në fund, Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të
ndërmarrë masat e nevojshme dhe të japë një zgjidhje konkrete për këtë çështje, në mënyrë që të
gjithë studentët dhe kandidatët të kenë trajtim dhe mundësi të barabarta në procesin e avancimit të
tyre profesional.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo