Kontrolle në disa lokacione në Tetovë dhe Gostivar, gjenden drogë, armë dhe municion – arrestohen disa persona

Më 21.08.2026, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria S.B. (41) nga fshati Leshok. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe hapësirat ndihmëse, të kryer me urdhër gjykate, janë gjetur dhe konfiskuar një karabinë 7 mm me dylbi, një pistoletë „CZ“ 9 mm me karikatorë të zbrazët, një pushkë ajrore 5.4 mm me dylbi, si dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Më 21.08.2026, rreth orës 20:21, zyrtarët policorë të Njësisë Policore Gostivar kanë privuar nga liria A.M. (39), D.M. (26), B.S. (37), R.R. (66), B.A. (37) dhe R.V. (72), të gjithë nga Gostivari, si dhe N.L. (65) nga Shkupi. Policia ka vepruar pas një denoncimi paraprak për prishje të rendit dhe qetësisë publike me të shtëna nga armë zjarri në fshatin Kunovë të Gostivarit.

Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja, ndërsa gjatë kontrolleve në disa shtëpi vikendi në fshatin Kunovë janë gjetur dhe konfiskuar disa armë zjarri, përfshirë karabina gjuetie, pushkë gjuetie dhe pistoletë, si dhe një sasi më e madhe municioni.

Ndërkohë, gjatë natës së 21/22.08.2026, në periudhën nga ora 22:30 deri në 01:30, zyrtarë të SPB Tetovë, në koordinim me Njësinë Speciale Antiterroriste „Tigri“ dhe Njësinë për Qentë Zyrtarë, kanë kryer kontroll me urdhër gjykate në një shtëpi dhe një objekt-punëtori në Tetovë, të përdorura nga P.M. (36).

Në punëtori janë gjetur tre persona – L.S. (19) dhe dy të mitur 16-vjeçarë. Te L.S. dhe njëri prej të miturve janë gjetur lëndë pluhuri e bardhë, marihuanë dhe dy peshore digjitale. Gjithashtu, në objekt janë gjetur kuti me lëndë pluhuri të bardhë dhe para në valuta dhe prerje të ndryshme. Personat janë privuar nga liria.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, në koordinim me prokurorin publik, do të dorëzohen kallëzime përkatëse.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo