Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për zhvillimet e fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Konjufca tha se hapat e ardhshëm janë pjesë e procesit të mëtejshëm konstitucional, ndërsa theksoi se për thirrjen e seancës së radhës do të ketë njoftim me kohë.
“Është pjesë e formësimit të mëtejshëm konstitucional të vendit tonë. Do të mund të thirret, nuk e caktoj unë, por besoj do të lajmëroheni”, tha Konjufca.
Ai u shpreh se çdo pretendim për shkelje të Kushtetutës duhet të adresohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Ai që mendon që është shkelur Kushtetuta, le t’i drejtohet Kushtetueses”, deklaroi ai.
Konjufca tha se do të vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, ndërsa foli edhe për pasojat që mund të sjellë vazhdimi i situatës aktuale.
Sipas tij, dëmi që mund të shkaktohet nga vazhdimi i këtij procesi është më i vogël sesa pasojat që, sipas tij, do të sillte përsëritja e skenave të dhunshme apo shkuarja në zgjedhje të reja.
“Ky dëm që ju po e konsideroni që mund të bëhet është më i vogël se ajo që pamë në seancë, dhuna ndaj kryeministrit. Është më pak dëm se me shku në zgjedhje të reja. Krejt këto dëme janë të mëdha”, tha Konjufca.
Ndryshe, seanca e 8 gushtit e Kuvendit të Kosovës nuk përfundoi me konstituimin e këtij institucioni. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime të mëtejshme për një marrëveshje politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit.
Gjatë seancës pati edhe tensione, ku Kurti u sulmua me vezë nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.